Nënshkruhet urdhëresa, këto janë masat që nga sot duhet të aplikohen në çdo kafiteri

Lajme

Nënshkruhet urdhëresa, këto janë masat që nga sot duhet të aplikohen në çdo kafiteri

Më: 18 qershor 2020 Në ora: 14:38

Si pasojë e rritjes së numrit të rasteve me koronavirus, Qeveria ka paraparë masa të reja, sidomos për sektorin e gastronomisë.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi ka nënshkruar Urdhëresë për aplikimin e masave për luftimin e pandemisë COVID-19.

Ndër të tjera në këtë urdhëresë thuhet që distanca nga ulësja në ulësen prapa shpinës nëpër lokale, duhet të jetë jo më pak se 1.5 metra, derisa distanca në mes të ulëseve brenda tavolinës duhet të jetë së paku 1 metër.

Në një tavolinë nuk lejohen më shumë se 4 persona, përpos nëse ata janë anëtarë të një familje.

Po ashtu aty potencohet se nëpër secilin lokal duhet të ketë dezinfektues të qasshëm lehtë nga klientët, stafi duhet të jetë i pajisur me maska mbrojtëse dhe nuk lejohet shërbimi në banak.

Sipas kësaj urdhërese, servimi i tavolinave duhet të bëhet bashkë me shërbimin e porosisë dhe menyja duhet të jetë për një përdorim ose të jetë e tillë që të mund të dezinfektohet pas çdo porosie dhe të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e rregullt e lokaleve dhe hapësirave të punës.

Njoftimi i Ministrisë:

Ministri Krasniqi ka nënshkruar Urdhëresë për aplikimin e masave për luftimin e pandemisë COVID-19 në sektorin e gastronomisë.

Me qëllim të mbrojtjes së jetës së qytetarëve nga pandemia COVID-19, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Vesel Krasniqi ka nënshkruar një Urdhëresë për aplikimin e masave për parandalimin e luftimit të COVID-19 në sektorin e gastronomisë.

Përmes kësaj urdhërese ministri ka kërkuar zbatimin e masave që dalin nga Plani Kombëtar i Reagimit ndaj këtij virusi, rekomandimeve që janë dhënë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Manualin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Urdhëresa duhet të zbatohet nga të gjitha bizneset e gastronomisë dhe Inspektorati i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, në bashkëpunim me inspektoratet tjera do të jenë në terren çdo ditë për zbatimin e masave për tu mbrojtur nga pandemia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat