Grenell: Takimi në Shtëpinë e Bardhë hap rrugën për zhvillim dhe investime ekonomike

Lajme

Grenell: Takimi në Shtëpinë e Bardhë hap rrugën për zhvillim dhe investime ekonomike

Më: 18 qershor 2020 Në ora: 21:37
I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ka thënë se takimi i 27 qershorit në mes të përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit në Uashington, është mundësi për zhvillim të ri dhe investime ekonomike.

“Shtetet e Bashkuara shpresojnë se liderët në Kosovë dhe Serbi do ta shfrytëzojnë mundësinë e rikthimit në dialog dhe që të nisin një epokë të re të stabilitetit dhe mirëqenies. Njerëzit e këtij rajoni nuk meritojnë asgjë më pak”, është cituar të ketë thënë Grenell sipas ambasadës amerikane në Prishtinë.

Presidenti i Kosovës, ka thënë vazhdimisht se shpreson që ky takim mund të rrisë shpresat për një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Mirëpo presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë ditë më parë se, temë e takimit nuk do të jetë pranimi i pavarësisë së Kosovës, por çështjet ekonomike.

Dialogu Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel. Ai është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.

Kjo masë është zëvendësuar me reciprocitet, por qeveria e re e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka hequr të gjitha masat, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat