Vrasja në “Mati 1″, këto janë të rejat e fundit nga kjo ngjarje

Lajme

Vrasja në “Mati 1″, këto janë të rejat e fundit nga kjo ngjarje

Më: 23 qershor 2020 Në ora: 15:33
Foto nga vendi ku ka ndodhur vrasja

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur të pafajshëm Naim Mehmetin, për akuzën e vrasjes në tentativë të kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore, kurse e ka dënuar me 4,500 euro gjobë për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Më 5 shtator 2019, lagjja “Mati 1” në Prishtinë, ishte tronditur nga konflikti i armatosur në mes familjes Mehmeti dhe Rafuna, pas të cilin konflikt, kishin mbetur të vdekur tre persona, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndër tre personat e vdekur, një ishte nga familja Mehmeti, një nga familja Rafuna, derisa nga ky konflikt i armatosur, ka ndërruar jetë edhe një kalimtar rasti.

Fillimisht  i akuzuari është akuzuar për vrasje në tentativë, por në fjalën përfundimtare prokurori Ilaz Beqiri e ka rikualifikuar veprën në vrasje në tentativë e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore.

Për këtë akuzë, gjatë aktgjykimit të shpallur të martën, nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Suzana Çerkini, nuk është provuar se i njëjti ka kryer këtë vepër penale.

Ndërkaq, kjo gjykatë, të akuzuarin Mehmeti e ka dënuar me 4,500 euro gjobë për armëmbajtje pa leje, ku do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në masën e privimit të lirisë.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Çerkini, i njëjti është obliguar të paguajë paushallin gjyqësor prej 100 euro dhe 50 euro në fondin për kompensimin e viktimave të krimit, ndërkaq arma dhe municioni janë konfiskuar.

Ndryshe, paraditen e së martës palët kanë paraqitur fjalët e tyre përfundimtare para trupit gjykues.

Në fjalën e tij përfundimtare, prokurori Ilaz Beqiri ka deklaruar se është vërtetuar një gjendje pak sa e ndryshuar nga ajo që është përshkruar në dispozitivin e aktakuzës , për çka ka bërë ricilësimin juridik të veprimeve inkriminuese të të pandehurit,  duke shtuar se nga ai moment të Mehmeti akuzohet për veprën penale “vrasje në tentativë e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” nga neni 174 të KPRK-së.

“Njëkohësisht bëj plotësimin e dispozitivit të aktakuzës me qëllim që t’i përshtatet këtij cilësimi juridik dhe atë: në rreshtin e tretë pas fjalëve të pandehurit Naim Mehmeti, shtohen fjalët “ në gjendje të tronditjes së fortë mendore pasi që kundër të njëjtit tani i ndjeri Mefail Rafuna kishte shtënë me revole dhe pasi kishte depërtuar në katin e dytë ka dëgjuar shumë krisma të armëve”.  Gjithashtu, në rreshtin e tretë nga fundi ku në vend të numrit 28 duhet të jetë 29 fishekë. Ndërsa, pjesa tjetër mbetet e pandryshuar”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, në këtë shqyrtim gjyqësor u vërtetua kjo gjendje faktike nga dëshmia e dëshmitarit – pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Irfan Bunjaku, i cili në mënyrë të plotë, qartë dhe bindëse ka përshkruar mënyrën se si është involvuar në këtë rast, gjendjen në të cilën e ka parë tani të pandehurin Naim Mehmeti me kallash në dorë, intervenimin e tij që ta neutralizojë të pandehurin dhe mënyrën të arritjes së tij që ta hjek armën nga dora e tani pandehurit Naim Mehmeti, e cila armë ishte e mbushur me 29 fishekë e edhe një fishek e kishte në tytë.

Tutje, prokurori deklaroi se  kjo gjendje faktike u vërtetua edhe nga procesverbali mbi bastisjen e banesave dhe personave i datës 5 shtator 2019, si dhe foto dokumentacioni që gjendet në shkresat e lëndës, nga të cilat rezulton se në banesën e tani të ndjerit, Bashkim Mehmeti, u gjetën dhe sekuestruan sasia e fishekëve ashtu si është përshkruar në dispozitiv të akuzës që gjendeshin në çantën ku i pandehuri Naim Mehmeti e kishte marrë edhe pushkën automatike.

“Se i pandehuri veproi në gjendje të tronditjes së fortë mendore u vërtetua me vet faktin se jeta e tij ishte e rrezikuar drejtpërsëdrejti në momentin kur tani i ndjeri Mefail Rafuna shtiu me armë në drejtim të tij e bile i pandehuri më vonë e ka kuptuar se edhe ka qenë i plagosur nga këto të shtëna dhe në atë gjendje i pandehuri shkoi në kati e dytë të ndërtesës, aty dëgjoi edhe shumë krisma që vinin nga oborri i ndërtesës gjegjësisht rruga e që aty veç kishte filluar një konflikt mes familjarëve të tij dhe të ndjerit Mefail Rafuna”, ka thënë prokurori Beqiri.

Në vijim, prokurori ka deklaruar se sa i përket, pikës dy të dispozitivit të aktakuzës, ku i pandehuri deklaron se fishekët që janë gjetur në banesën e vëllait të tij të ndjerë, Bashkim Mehmeti, nuk kanë qenë të tij dhe se prokuroria i beson një versioni të tillë.

Mirëpo, ai tha se prokuroria vlerëson se ata fishekë dhe pushka që e ka marrë i pandehuri ishin në kontroll edhe nga i pandehuri Naim Mehmeti, i cili në atë gjendje të tronditjes së fortë mendore, pa asnjë hamendje, u orientua atje ku ishte pushka së bashku me fishekët të cilët janë sekuestruar.

“E nga kjo rezulton konkludimi se i pandehuri ka pas në kontroll edhe për këta fishekë. Si dihet, edhe kontrolla mbi armë apo municion, ligjvënësi e ka përcaktuar si veprim inkriminues. Andaj, mbetem në tërësi pranë aktakuzës së ndryshuar në këtë shqyrtim gjyqësor”, ka thënë ai.

Në fund, prokurori i ka propozuar trupit gjykues që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të gjykohet sipas ligjit, ku me rastin e matjes dhe shqiptimit të sanksionit penal të merret si rrethanë lehtësuese gjendja emocionale në të cilën ka vepruar i pandehuri në momentin kur ka kryer veprat penale, si dhe fakti se në atë ngjarje të kobshme ka humbur edhe vëllain.

Mbrojtësi i Mehmetit, avokati Shqipron Zymeri fjalën e tij përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim, raporton “Betimi për Drejtësi”

E më pas ka deklaruar se sa i përket rikualifikimit të veprës penale të bërë nga prokurori i shtetit, nuk ka asnjë provë dhe asnjë veprim i të akuzuarit nuk e inkriminon me një vepër të tillë, sepse për të ekzistuar tentativa duhet të plotësohen kushtet e parapara me ligj dhe njëri ndër kushtet është që veprimi të kryhet me dashje.

“Nëse njëri nga kushtet mungon, atëherë nuk mund të kemi vepër penale të tentativës e aq më pak vrasje të kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore. Edhe gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar e të mbrojturit tonë, ku edhe vet dëshmitari ose prova që e ka pas prokurori, dëshmitari që është ftuar, në asnjë deklarim të tij, nuk e inkriminon të mbrojturin tonë për veprën e cila i vihet në barrë në bazë të aktakuzës së prokurorisë”, ka thënë ai.

Avokati Zymeri ka shtuar se edhe nga vet deklarimi i të akuzuarit vërtetohet fakti se i njëjti nuk ka pasur qëllim dhe nuk ekziston dashja që të kryhet vepra penale vrasje në gjendje të tronditjes së fortë mendore.

Prandaj, tha se mbrojtja kërkon nga  trupi gjykues që për pikën 1 të aktakuzës të akuzuarin ta shpall të pafajshëm dhe ta lirojë nga kjo akuzë.

Kurse, sa i përket pikës së dytë të dispozitivit të akuzës, ai ka thënë se i akuzuari qysh në fillim të shqyrtimit gjyqësor e ka pranuar se në ditën kritike ka pasur në posedim armën.

“Ndërsa, sa i përket municionit nuk ka asnjë provë që ka qenë në pronësi dhe kontroll të mbrojturit tonë pasi që edhe nga procesverbali i bastisjes së banesës rezulton se ky municion është gjetur në banesën e tani të ndjerit Bashkim Mehmeti dhe që ka qenë në pronësi dhe kontroll tani të ndjerit Bashkim Mehmeti”, ka deklaruar Zymeri.

Ndërsa, sipas tij nëse nisen nga ajo që pretendon prokurori, se i akuzuari ka pas kontroll mbi municionin i cili është gjetur në banesën e tani të ndjerit Bashkim Mehmeti, është e pakuptimtë dhe e palogjikshme.

“Pasi, nëse nisemi nga ky fakt, nëse në një shtëpi gjendet municion, sipas prokurorit atëherë e gjithë familja duhet të akuzohen për mbajtje , kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve.Prandaj, kërkoj nga trupi gjykues që pranimin e fajësisë për armëmbajtje pa leje ta merr si rrethanë lehtësuese lidhur me matjen e dënimit sa i përket pikës dy të aktakuzës”, ka thënë Zymeri.

I akuzuari Naim Mehmeti ka deklaruar se nuk e pranon fajësinë as për veprën penale të rikualifikuar nga prokurori Beqiri dhe ka deklaruar se e mbështet avokatin e tij, si dhe kërkon të lirohet nga pika e parë e akuzës pasi ndihet i pafajshëm.

Ndërkaq, prokruori Beqiri i ka replikuar mbrojtësit të Mehmetit, ku ka deklaruar se pikërisht në rastin konkret, dashja manifestohet e kulluar në veprimet e të pandehurit, sepse pa dashje të privohet dikush nga jeta nuk ish marrë pushka automatike e mbushur me fishekë, fisheku i vendosur në tytë dhe dalja në vendin e ngjarjes me armë në dorë.

“Fatmirësisht, në atë rast ka qellu dëshmitari dhe ka ndërhy shpejtë se aty se di cka kish me ndodh. Të gjitha këto veprime nuk kanë se si të cilësohen ndryshe përpos si dashje direkte”, ka thënë ai.

Kurse, avokati Zymeri ka deklaruar se ligjvënësi e ka paraparë që të ekzistojë dashja ose tentativa duhet që e mbrojtura juridike ose viktima të jetë i gjallë, sepse ndaj personit të vdekur nuk mund të kryhet vrasje në tentativë.

E këtë e ka kontestuar prokurori Beqiri, ku ka thënë se i dëmtuari ka qenë gjallë në ato momente.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 27 nëntor 2019, ekziston dyshimi i bazuar se pas një kontesti pronësor që kishin mes vete familja Rafuna dhe Mehmeti, më 5 shtator 2019, rreth orës 15:40, në kryqëzimin e rrugës “Muharrem Fejza” dhe “Jakov Xoxa”, i pandehuri Naim Mehmeti ka tentuar që ta privojë nga jeta tani të ndjerin Mufail Rafuna.

Këtë thuhet se e ka bërë në atë mënyrë që paraprakisht është fjalosur me tani të ndjerin rreth anësorëve të shkallëve, të cilat i kishte hekur Mufail Rafuna dhe në momentin kur tani i ndjeri ka nxjerrë armën nga çanta, i pandehuri ka filluar të ikë rreth lokaleve duke vrapuar.

Sipas akuzës, i ndjeri Rafuna ka shtënë në drejtim të të pandehurit me revole dhe e ka goditur në pulpin e këmbës së majtë dhe në gishtin e madh të asaj këmbe.

Tutje, thuhet se i pandehuri ka shkuar në banesën që gjendet në katin e tretë, ka dëgjuar të shtënat e armëve, ka marrë armën automatike, ka dal në hyrje të banesës, ka parë të plagosur Mufail Rafunën, e vëllain e tij, Bashkim Mehmetin, por fatmirësisht tani në ngjarje ishte implikuar pjesëtari i Policisë së Kosovës, në rroba civile, Irfan Bunjaku, i cili ka arritur që të pandehurit t’ia marrë armën “AK 47”, nga dora dhe ta vejë në kontroll të pandehurin, në të cilën kishte fishekun në tytë, dhe 28 fishekë të tjerë në karikator, ndërsa polici ka vërejtur se ka qenë i plagosur nga të shtënat e Mufail Rafunës.

Për këtë akuzohet për veprën penale “Vrasje në tentativë”.

Ndërkaq, dispozitivi i dytë i aktakuzës thotë se nga data e pacaktuar deri më 5 shtator 2019, pa autorizim ka poseduar armën e tipit “AK47”, me 29 fishekë, me të cilin ka kryer veprën penale si në pikën e parë të akuzës, e pas bastisjes në banesë të tij, janë gjetur dhe sekuestruar 80 fishekë automatikut dhe 64 fishekë të pistoletës.

Ndryshe, lidhur me aktakuzën tre faqe të prokurorisë për këtë rast, “Betimi për Drejtësi” kishte publikuar, në dhjetor të vitit 2019,  një analizë lidhur me këtë akt akuzues, të cilin mund ta gjeni në linkun më poshtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat