​Sejdiu kërkon paga dinjitoze për mjekët, sindikatat nuk përjashtojnë protestat dhe grevat

Lajme

​Sejdiu kërkon paga dinjitoze për mjekët, sindikatat nuk përjashtojnë protestat dhe grevat

Më: 1 korrik 2020 Në ora: 15:33
Basri Sejdiu

Pezullimi i Ligjit të Pagave nga Gjykata Kushtetuese ka ngjallur pakënaqësi të mëdha tek mjekët të cilët përmes këtij ligji do të mund të gëzonin paga më dinjitoze. Madje, drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, Basri Sejdiu duke mos dashur që të komentojë shumë vendimin e Gjykatës Kushtetuese thotë se stafi mjekësor duhet të motivohet me paga dinjitoze.

Ai tha se çdo investim në shëndetësi ndikon në shëndetin e popullatës.

Sejdiu kërkon nga qeveria të reagojë sa më shpejtë para se të shpërthejnë grevat dhe protestat nga stafi mjekësor.

Sejdiu: Stafi mjekësor duhet të motivohet me paga dinjitoze

“Mund të jetë edhe zhgënjim sepse vërtetë pagat e personelit shëndetësor meritojnë të rriten, të motivohen më shumë me stimulime me paga dinjitoze bile tani në këtë kohë kur po shohim se ka migrim enorm të stafit shëndetësor, mjekë dhe infermierë dhe kjo kishte me qenë një pagë e mirëseardhur. E vetmja mënyrë është që stafi shëndetësor përveç ofrimit të kushteve të punës është të ketë edhe stimulim sepse me paga jo dinjitoze mbajtës të familjeve e shohim çka do thotë shëndetësia vendore kur mbyllen kufijtë, nëse kemi një shëndetësi të brishtë do reflektohet në gjithë shëndetin e qytetarëve. Për atë arsye çdo investim që bëhet në shëndetësi qoftë me punësime, qoftë me ngritje të pagave apo stimulim apo pagesa e rrezikshmërisë ndikojnë në shëndet të popullatës”, theksoi Sejdiu.

E gjatë ditës së sotme lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin e Pagave kanë mbajtur një mbledhje Odat e Profesionistëve Shëndetësorë me Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës.

Nga ky takim përfaqësuesit e stafit shëndetësor dolën me dy qëndrime konkrete karshi institucioneve qendrore të vendit.

Kryetari i Federatës të Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla thotë se nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës kërkojnë rritje të menjëhershme të pagave për stafin shëndetësor, si dhe fillimin sa më parë të draftimit të Ligjit të Pagave.

Syla: Jemi të zhgënjyer dhe të pamotivuar

“Jemi të zhgënjyer dhe të pamotivuar, mirëpo neve sot kemi diskutuar dy çështje. Çështja e parë është profesionale sepse barrën e kemi ne se si ta menaxhojmë pandeminë dhe si ta menaxhojmë tash këtë lajm jo të mirë nga Gjykata Kushtetuese. Veprimet sindikale do të koordinohet plotësisht tani e tutje me të gjithë profesionistët shëndetësorë... Rritja e pagave të menjëhershme duke marrë qëndrim edhe Kuvendi sepse është problem shumë nacional Kuvendi dhe Qeveria, dhe fillimin e menjëhershëm për Ligjin e ri të Pagave. Ligj i cili do të përfshijë të gjitha ato pakënaqësi që i kemi pasur pakënaqësi kemi lëshuar pe, kësaj radhe nuk do lëshojmë pe”, tha Syla.

Syla nuk i ka përjashtuar edhe veprimet radikale nëse nuk reflekton qeveria krahas kërkesave të tyre, ndonëse thotë se këtë do detyrohen ta bëjnë pa dëshirën e tyre.

Syla: Nëse nuk reflektojnë frikësohem se do marrim veprime sindikale të padëshirueshme

“Do mundemi që mos të jenë vendime radikale për shkak të popullatës, jo për shkak krejt të pandemisë, por për shkak të popullatës, mirëpo nëse ata nuk reflektojnë dhe nuk e shikojnë popullatën e vetë atëherë unë kam frikë se neve do të marrim veprime sindikale të padëshirueshme nga ana jonë”, theksoi Syla.

Gjykata Kushtetuese dje e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin e Pagave, i cili u votua nga legjislatura e kaluar e Kuvendit të Kosovës. Ndërsa, në Gjykatën Kushtetuese e kishte dërguar Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat