Vrasja e rëndë në Vushtrri, prokuroria dhe të akuzuarit kërkojnë ndryshimin e aktgjykimit ose rigjykim të rastit

Lajme

Vrasja e rëndë në Vushtrri, prokuroria dhe të akuzuarit kërkojnë ndryshimin e aktgjykimit ose rigjykim të rastit

Më: 2 korrik 2020 Në ora: 16:59
Kujtim Meholli

Ndryshimin e aktgjykimit të shkallës së parë ose rigjykim të rastit, po kërkojnë nga Gjykata e Apelit, të akuzuarit për vrasje të rëndë përkatësisht për ndihmë në vrasje të rëndë, Liburn Ajazaj, Rejhan Ajazaj dhe Qëndrim Xhakolli.

Të tre këta të akuzuar, përmes avokatëve të tyre mbrojtës, kanë ushtruar ankesa në Gjykatën e Apelit kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë e cila i kishte shpallur fajtor për vrasjen e Kujtim Mehollit.

E rigjykim të rastit i ka propozuar Apelit edhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

Ankesë në këtë rast u tha se ka ushtruar edhe pala e dëmtuar, megjithëse gjyqtari raportues Kreshnik Radoniqi tha se në shkresat e lëndës nuk ka ankesë nga pala e dëmtuar.

Këto ankesa të palëve u shqyrtuan të enjten, nga një kolegj i Gjykatës së Apelit, i përbërë nga gjyqtarët, Xhevdet Abazi, Kreshnik Radoniqi dhe Abdullah Ahmeti.

Gjykata Themelore në Mitrovicë, më 23 dhjetor 2019, e kishte shpallur aktgjykimin për këtë rast, e ku të tre të akuzuarit ishin shpall fajtorë.

I pandehuri Liburn Ajazaj, ishte dënuar me 18 vjet burg për vrasje të rëndë, ku në këtë dënim do t`i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa i është shqiptuar gjobë prej 300 euro për armëmbajtje pa leje.

Ndërsa, të pandehurit Rejhan Ajazaj dhe Qëndrim Xhakolli, secili veç e veç ishin dënuar me nga 5 vjet burgim efektiv, për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.

Fillimisht, Liburn Ajazaj, Rejhan Ajazaj  dhe Qëndrim Xhakolli, nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, akuzoheshin se më 6 gusht 2017, për motive të ulëta dhe në mënyrë mizore, në bashkëkryerje, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Kujtim Meholli.

Mirëpo, trupit gjykues, në seancën e fundit që ishte mbajtur në shkallën e parë për këtë rast, e kishte rikualifikuar veprën penale për Rejhan Ajazajn dhe Qëndrim Xhakollin, nga bashkëkryerje, në ndihmë në vrasje të rëndë, për shkak se siç kishte thënë gjykatësi Petroviq, veprimet e këtyre të pandehurve nuk kanë përmbushur elementet e formës së bashkëkryerjes.

Këtë rikualifikim të veprës penale për Rejhan Ajazaj dhe Qëndrim Xhakolli, po e kundërshton Prokuroria Themelore në Mitrovicë. Në ankesën e prokurorisë thuhet se gjykata e shkallës së parë gabimisht ka vepruar kur ka rikualifikuar veprën penale për këtë dy të akuzuar, pasi që të njëjtit veprën penale e kanë kryer në bashkëkryerje e jo në ndihmë.

Sipas prokurorisë, gjykata nuk ka marr parasysh ekspertizën e telefonave së të akuzuarve dhe SMS-të që të njëjtit kishin shkëmbyer, e ku sipas organit të akuzës, konstatohet se të njëjtit e kanë ditur se ku janë duke shkuar dhe çfarë veprime do të ndërmarrin.

Po ashtu, prokuroria në ankesën e saj e ka kontestuar edhe faktin se gjykata nuk kishte pranuar që të bëhej rikonstruimi i vendit të ngjarjes ku sipas prokurorisë, do të sqarohej edhe më tej pozicioni i të akuzuarve në kryerjen e veprës penale.

Në ankesën e prokurorisë theksohet po ashtu se aktgjykimi i shkallës së parë ka dështuar që të caktojë afatin e pagesë së gjobës së shqiptuar për veprën penale të armëmbajtjes pa leje si dhe nuk ka caktuar mënyrën se si do të zëvendësohet dënimi me gjobë në rast të mos pagesës. Gjithashtu, sipas prokurorisë, edhe dënimet e shqiptuara në këtë rast janë të buta.

E këtë ankesë të prokurorisë, përmes një parashtrese drejtuar gjykatës së shkallës së dytë, e ka mbështetur edhe Prokuroria e Apelit.

Prokurori i Apelit, Idain Smajli, tha në fjalën e tij para kolegjit të Apelit se në këtë rast, ankesë ka ushtruar edhe pala e dëmtuar. Mirëpo, gjyqtari Radoniqi tha se të gjitha ankesat në këtë rast, shkaku i pandemisë së Covid-19, janë dorëzuar përmes email-it, ndërsa shtoi se në shkresat e lëndës nuk ka ndonjë ankesë të palës së dëmtuar.

Aktgjykimin e shkallës së parë e ka kundërshtuar edhe mbrojtësi të akuzuarit, Liburn Ajazaj, avokati Imer Ahmetaj. Sipas ankesës së tij, shkalla e parë ka bërë vlerësim të gabuar të gjendjes faktike dhe se ju ka fal besimin vetëm deklaratave në shqyrtim gjyqësor por jo edhe atyre në procedura paraprake.

Sipas ankesës së avokatit Ahmetaj, gjykata në këtë rast kishte tejkaluar edhe aktakuzën duke shtuar një pikë të veprës penale.

Dënimi për të akuzuarin Liburn, sipas ankesës së mbrojtësit të tij është shumë i lartë duke pasur parasysh rrethanat lehtësuese ndërsa dënimet për dy të bashkakuzuarit tjerë, sipas ankesës, janë shumë të ulëta.

“Mbes pranë ankesës dhe kërkesës që Apeli ta kthej lëndën në rigjykim nga shkaku se nuk është sqaruar gjendja faktike ashtu siç ka ndodh në vendin e ngjarjes. Është e pakjartë se me çfarë mjeti është kry vepra penale. Thuhet se me një mjet të fortë, por në vendngjarje është gjet një stupc dru. Nuk është sqaruar kush e ka përdorur qat mjet”, tha ndër të tjera në fjalën e tij, avokati Ahmetaj.

I njëjti shtoi se i akuzuari Liburn e ka pranuar veprën penale por jo se ka vepruar vet, por ka vepruar në bashkëkryerje.

Vet i akuzuari Liburn, tha se veprën penale e kanë kryer tre të akuzuarit bashkë.

“Pajtohem me avokatin. Na tre së bashku e kemi bo ketë vepër. Unë nuk e kom dite as rrethinën e as lojnat e atyne”, tha Ajazaj.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuari Xhakolli, avokati Skënder Musa, kërkoi nga Apeli që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza pasi siç tha, veprën penale e kishte kryer nën shtrëngim.

Musa tha se i mbrojturi i tij nuk ka pas asnjë arsye që të ketë dashje direkte ose eventuale për të kryer veprën penale në fjalë, mirëpo një gjë të tillë e kishte bërë pasi ishte kërcënuar nga i akuzuari Liburn.

Për më tepër, Musa tha se i mbrojturi i tij edhe është munduar që të evitoj shkuarjen në vendin e ngjarjes duke sajuar kinse një takim me një të dashur të tij, duke shtuar po ashtu, se i mbrojturi i tij nuk ka qenë në dijeni se se i akuzuari Liburn po shkon për të vrarë tashmë të ndjerin Meholli.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarës Rejhan, avokati Musa Damati, në ankesën e tij drejtuar Apelit ka theksuar se gjatë shqyrtimi gjyqësor në shkallë të parë janë krijuar paqartësi dhe shkelje të dispozitave të cilat kanë sjellë edhe vërtetim të gabuar.

“Mbesim në tërësi prapa ankesës dhe theksojmë se shkalla e parë në raport me të mbrojturën time ka cilësuar saktë veprën penale të ndihmës kurse lidhur me rikonstruimin e vendit të ngjarjes, konsiderojmë se është i duhur dhe propozojmë rigjykim”, deklaroi avokati Damati.

Të akuzuarit Liburn dhe Rejhan Ajazaj, në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 4 korrik 2018, kishin pranuar fajësinë për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”, përderisa i akuzuari Qëndrim Xhakolli ishte deklaruar i pafajshëm.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve Ajazaj, nuk e kishte pranuar kryetari i trupit gjykues Tomisllav Petroviq pasi që sipas tij, ekziston lidhshmëria se të tre të akuzuarit, në bashkëkryerje e kanë kryer këtë vepër penale.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 18 qershor 2018, Liburn Ajazaj, Rejhan Ajazaj dhe Qëndrim Xhakolli, akuzohen se më 6 gusht 2017, rreth orës 00:50, në shëtitoren “Enver Zymberi” afër lumit “Sitnica” në Vushtrri, duke vepruar së bashku dhe me marrëveshje paraprake, me dashje, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Kujtim Meholli, në mënyrë mizore dhe për motive të ulëta.

Bazuar në aktakuzë, vepra është kryer në atë mënyrë, që fillimisht e akuzuara Rejhan, e cila thuhej se ishte në lidhje dashurie me tani të ndjerin Kujtim, e fton të ndjerin në një takim, i cili pasi që takohet me të akuzuarën në fjalë, i njëjti është përcjellë nga dy të akuzuarit Liburn Ajazaj dhe Qëndrim Xhakolli.

Në aktakuzë thuhet, se pasi që e akuzuara Rejhan takohet me të ndjerin Kujtim, ky i fundit kërkon që të shkojnë afër lumit, meqenëse po lëvizin njerëz, dhe me të arritur aty, i akuzuari Liburn, i cili kishte qenë prapa tyre, kishte filluar që ta fyej tani të ndjerin Kujtim.

Në vazhdim të aktakuzës, thuhet se i ndjeri Kujtim Meholli, i është drejtuar të akuzuarit Liburn që të merren vesh me fjalë, mirëpo siç ceket në aktakuzë, ky i fundit me shufër metalike, fillon ta godasë tani të ndjerin, i cili nga goditjet e marra humb vetëdijen dhe bie përtokë, shkruan Betimi për Drejtësi.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Qëndrim Xhakolli dhe Liburn Ajazaj, kanë vazhduar ta godasin atë dhe më pas duke e ngulfatur me një lidhëse, e më pas duke e hedhur në lum.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vrasje e rëndë”  nga neni 179, paragrafi 1, nën paragrafin 1.4 dhe 1.8 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, i akuzuari Librun Ajazaj, akuzohet edhe për kryerjen e veprës penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat