SHBA dhe BE me qasje të ndryshme ndaj dialogut, njohje apo normalizimi i marrëdhënieve?

Lajme

SHBA dhe BE me qasje të ndryshme ndaj dialogut, njohje apo normalizimi i marrëdhënieve?

Më: 4 korrik 2020 Në ora: 15:36

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian – që të dyja ndaras e herë së bashku janë të angazhuara në përmbylljen e dialogut Kosovë – Serbi.

Ajo që i përbashkon këto dy fuqi është fakti se të dyja dëshirojnë që dialogu midis Kosovës dhe Serbisë të përfundojë me marrëveshje, por i ndanë mënyra se si e shohin dialogun dhe qasja e tyre ndaj marrëveshjes përfundimtare.

Njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve, në njërën anë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nëpërmjet ekonomisë dhe njohjes reciproke tentojnë të mbyllin armiqësinë shekullore midis Kosovës dhe Serbisë dhe BE me deklaratat e paqarta rreth normalizimit të marrëdhënieve.

Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak gjatë vizitës së tij në Kosovë ku është takuar me krerë të shtetit dhe përfaqësues të partive politike ku është diskutuar për rinisjen e dialogut ka folur edhe për marrëveshjen përfundimtare.

I pyetur për çështjen e njohjes reciproke midis dy vendeve si pjesa kryesore e marrëveshjes përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë, Lajçak ka deklaruar se “nuk është në Kosovë për të spekuluar dhe se mandati i tij është normalizimi i marrëdhënieve”.

“Në këtë moment nuk jam këtu të spekuloj, mund të them cili është mandati im, është normalizimi i marrëdhënieve. Marrëveshja nënkupton zgjidhje e të gjitha çështjeve, dialogu ka një histori prej 10 vitesh, ka një varg marrëveshjes që janë zbatuar, disa nuk janë zbatuar, në fund të procesit duhet t’i kemi zgjidhur të gjitha çështjet. Dua që këtë proces ta sjellë në një përfundim të suksesshëm, po flas për një periudhë disa mujore nëse dy palët janë të gatshme. Qëllimi ynë është t’i ndihmojë palët të dakordohen e jo t’i detyrojmë të pranojnë diçka që nuk duan”, tha ai, duke shtuar se BE-ja nuk mund të lihet anash, sepse e ofron një të ardhme evropiane.”, ka thënë Lajçak në Kosovë.

Por, ndryshe nga Lajçak e Borrell i cili si Përfaqësues i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri pretendon se midis Kosovës dhe Serbisë duhet të ketë normalizim të marrëdhënieve, mendojnë përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

I Dërguari i Posaçëm i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell përmend rritjen ekonomike dhe investimet në të dy vendet dhe një marrëveshje me njohje reciproke midis këtyre dy vendeve.

Po ashtu, sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo në një letër urimi ndaj kryeministrit të Kosovës për marrjen e detyrës në krye të ekzekutivit, shprehet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës përkrahin idenë e marrëveshjes me njohje reciproke.

“Ne vazhdojmë të mbështesim Kosovën në avancimin e procesit të normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë, të përqendruara në njohjen e ndërsjellë”, shkruan Pompeo duke shtuar se kjo është esenciale për Kosovën sa i përket integrimit global dhe arritjes së potencialit të saj të plotë.

E lidhur me këtë çështje, njohësi i politikës Shkodran Ramadani për lajmi.net është shprehur se Bashkimi Evropian ka qasje të tillë e cila lejon marrëveshje të cilat përbrenda vetës mund të kenë probleme që sjellin parahati.

“Bashkimi Evropian e ka nisur dialogun me atë paradigmën e vet ku lejon të arrihen marrëveshje që brenda tyre kanë ambivalencë, të cilat marrëveshje mund t’i përshtatin brenda strukturave të tyre politike”, tha Ramadani.

Më tutje, Ramadani ka pohuar se “normalizimi” është term ambig dhe lejon interpretim, ndërsa në anën tjetër SHBA-të sipas tij kanë treguar se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohjen reciproke.

“Por deri tani, kurrë nuk është përmendur afate ose njohje reciproke nga Bashkimi Evropian, përmendet vetëm normalizimi dhe ky term është ambig, e në anën tjetër SHBA-të deri më tani kanë deklaruar se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke. BE-ja nuk ka qartësi, deri në fund SHBA-ja ka dhënë edhe terma kohorë. Por tani së fundmi nuk po dëshiron të krijojë përshtypjen se po ka nguti në këtë drejtim. Deri në intervistat e fundit të Grenellit, SHBA-të kanë folur për marrëveshje të shpejtë”, tha Ramadani.

Ramadani gjithashtu është shprehur se SHBA-të janë më koherente sesa BE në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë e sidomos tani kur dy persona që vijnë nga shtetet mos-njohëse të Kosovës e udhëheqin dialogun.

“Deri tani, SHBA-të kanë qenë shumë më koherente sa i përket dialogut dhe kjo normalisht sepse BE-ja është e qartë sepse 22 vende e njohin dhe 5 nuk e njohin por për shkak të mënyrës së votimit aty nuk mund të merret qëndrim i prerë dhe tani dialogun do të udhëheqin dy persona që vijnë nga shtetet që nuk e njohin Kosovën dhe kjo e ka dëmtuar kredibilitetin e Bashkimit Evropian shumë sepse paraqitet institucion që po ua mbanë anën e shtetit serb .”, tha Ramadani.

E sa i përket dialogut, gjithçka ka ndryshuar fakti se ndaj presidentit të Kosovës dhe kreut të Partisë Demokratike të Kosovës është publikuar një aktakuzë e pakonfirmuar që i lidh këta dy emra me krime të luftës.

Publikimi jo-ligjor i aktakuzës ka ngjallur reagime të mëdha në vend dhe jashtë dhe ka bërë që të anulohej takimi i planifikuar për 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, midis Kosovës dhe Serbisë.

Menjëherë pas publikimit të kësaj aktakuze është vërejtur një përshpejtim i Bashkimit Evropian në funksion të rifillimit të dialogut të drejtuar nga Brukseli, por aktualisht duket se nuk ka atmosferë për të ndodhur kjo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat