Privatët kërkojnë licenca për të kryer teste për Covid-19, do të shqyrtohen rreth 100 aplikacione

Lajme

Privatët kërkojnë licenca për të kryer teste për Covid-19, do të shqyrtohen rreth 100 aplikacione

Më: 3 gusht 2020 Në ora: 21:19
Foto ilustrim

Rreth 100 institucione shëndetësore private kanë aplikuar për të marrë licencën për të kryer teste për COVID-19. Gjatë kësaj jave, aplikacionet pritet të shqyrtohen nga Bordi për Licencim të Institucioneve Private Shëndetësore, i cili do të vendosë se cilat i plotësojnë kushtet e cilat jo.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë se Bordi do të punojë me orar shtesë në mënyrë që procesi të kryhet sa më shpejt.

Sipas tij, shumica e aplikacioneve janë për licencë për teste serologjike, ndërsa rreth 10 prej tyre kanë aplikuar për licencë për teste molekulare ose PCR. Ato institucione që do të licencohen do të jenë të detyruara që për testimet që kryejnë, të raportojnë në institucionet relevante, raporton koha.

Për pranimin ose jo të këtyre testeve nga shtetet e tjera, sipas Hotit, vendos secili shtet mbi politikat e tij. Ndërsa për çmimet, tha se ministria në bashkëpunim me institucionet, do të shikojë mundësinë që ato të harmonizohen dhe të caktohet limiti.

Lidhur me testimet në institucionet private shëndetësore, të hënën ka shkruar edhe kreu i Qeverisë Avdullah Hoti. Ai ka thënë se ato do të licencohen së shpejti dhe se si qeveri janë duke punuar për të rritur kapacitetet testuese.

Deri më tani, në Kosovë ligjërisht testet për koronavirus janë kryer vetëm në IKSHPK, si dhe së fundi testet serologjike nga Komuna e Prishtinës.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat