Plumbi i snajperistit serb ia ndryshoi jetën Sanije Sadikut

Lajme

Plumbi i snajperistit serb ia ndryshoi jetën Sanije Sadikut

Më: 9 gusht 2020 Në ora: 15:27
Syla i shoqëruar nga Lulzim Blakaj, kanë vizituar familjen e Sadije Sadikut

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gazmend Syla, i shoqëruar nga Lulzim Blakaj, kanë vizituar familjen e Sadije Sadikut, ish të plagosurës nga snajperistët serbë gjatë luftës në Zabllaq të Istogut.

Sadija ishte e strehuar në këtë fshat së bashku me familjen dhe shumë familje të tjera nga Mitrovica. Sadija sot, pavarësisht prej 13 operimeve bërë ndër vite që nga përfundimi i luftës, është në karrocë të invalidit.

Deputeti Syla për këtë vizitë bërë në familjen e saj ka njoftuar në “Facebook”.

Ky është shikimi i plotë: 

“Një plumb i shkrepur nga snajperisti serb, ndryshoi përjetësisht jetën e Sadijes njëzetvjeçare. Ajo me shoqe sapo kishin nxjerrë patate dhe po i dërgonin te familjet për ta përgatitur shujtën e radhës. Ishte dita e gjashtë e majit 1999. Fshati Zabllaq ishte stërmbushur me të zhvendosur nga Mitrovica. Aty ishte edhe familja Sadiku nga Zhabari i Epërm.

Sadijes iu dha ndihma e parë e më pas ajo u bart nga luftëtarët e UÇK-së drejt fshatit Ruhot, ku ishte improvizuar Spitali Ushtarak. Ajo është përjetë falënderuese për luftëtarët e lirisë dhe evokon kujtimet kur gjatë ofensivës, rrezikuan ta shpëtojnë jetën e saj.

Sadije Sadiku nuk është një emër i panjohur në Kosovë. Ajo është paraqitur dy herë në Gjykatën e Hagës gjatë gjykimit të kriminelëve serbë të luftës. Por, ajo njihet edhe për mbi 20 medaljet e fituara në basketboll. Me gjithë se jetën e kalon në karrocë, ajo është shumë aktive. Përpos medaljeve, është edhe kopshti me lule të bukura e të shumëllojshme që e dëshmojnë vullnetin e saj për jetë.

Trupi i saj ka përjetuar trembëdhjetë operime, pas njërit prej të cilëve edhe gjashtë ditë kome. Por, të bisedosh me të, në asnjë çast nuk ndihesh keq. Përkundrazi, energjia pozitive e saj e hijeshoi mikpritjen e sotme në familjen Sadiku. Ndoshta, po të mos e kishte këtë plagë, Sadija sot mund të ishte edukatore, mjeke, apo edhe deputete e ministre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat