Rrëfehet pronari i Motelit ku u sulmuan seksualisht dy të miturat 13 vjeçare: Kështu më tha 43 vjeçari...

Lajme

Rrëfehet pronari i Motelit ku u sulmuan seksualisht dy të miturat 13 vjeçare: Kështu më tha 43 vjeçari...

Më: 13 gusht 2020 Në ora: 17:17
Ilustrim

Dy vajza të mitura, u dërguan mbrëmjen e 4 gushtit në një hostel në rrugën Prishtinë-Podujevë. Personi që i dërgoi ua pagoi qëndrimin aty, por më pas dyshohet se hyri në dhomën e tyre, ku i ngacmoi seksualisht.

Pronari i hostelit i cili edhe kishte qenë aty në momentin kur i dyshuari i kishte sjellë vajzat, ka thënë se 43-vjeçari i kishte thënë se vajzat kanë mbetur në rrugë, dhe do të qëndrojnë aty deri të nesërmen.

Pronari i hostelit, ka thënë se 43-vjeçari që tani po qëndron në paraburgim prej 30 ditësh vetëm ua ka paguar dhomën dy vajzave, për të cilat ai thotë se nuk e di çfarë moshe kanë pasur.

Por, ai mohon se 43-vjeçari ka hyrë në dhomën e tyre duke e dhënë një version tjetër për ngjarjen

“Kanë qenë dy vajza, njëra ka qenë më e rritur, nuk e di moshën e tyre, ai personi veç i ka sjellë brenda, më është drejtuar mua që kanë mbetur në rrugë dhe po do me ja u paguar deri nesër, ai veç i ka sjellë dhe i ka lënë, ato kanë bujt aty. Ai nuk ka pasur më kontakt me to, ka dalë, nuk e di ku ka shku, por ato kanë qëndruar aty deri të nesërmen. Ai ua ka pagu dhe ka dalë”, ka deklaruar ai.

Ai tha se vajzat qëndruan një natë në hostel, ndërkaq të nesërmen kanë dalë vetë nga aty.

“Vajzat kanë qëndrua këtu atë natë, kanë dalë vetë të nesërmen, kanë shku”, ka thënë ai.

Pranari i hostelit ka thënë se banorëve të Kosovës nuk iu kërkohen dokumentet e identifikimit, vetëm atyre te huaj.

“Banorëve të Kosovës nuk jemi të obliguar t’ua marrim letërnjoftimet, vetëm atyre që nuk janë të Kosovës, unë i pyes”, ka thënë ai.

Ai deklaroi se të mërkurën, policia ka qenë në objekt dhe ka kontrolluar kamerat e hostelit, ku sipas tij, gjithçka ka qenë në rregull.

“Policia ka qenë dje, i kanë shikua kamerat, është gjithçka në rregull. Nuk janë vërejtur aq shumë sepse ka qenë errësirë, kur është errësirë kamerat nuk vërehen”, ka thënë pronari i hostelit.

Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë, të enjten ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të dyshuarit B.A.

Një muaj paraburgim për 42-vjeçarin që dyshohet se sulmoi seksualisht dy të mitura

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit për 43-vjeçarin, i cili dyshohet se ka keqpërdorur seksualisht dy vajza 13-vjeçare

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit B.A për shkak të veprës penale Sulm seksual nga neni 229 par.6 lidhur me par.1 të KPRK-së. Të pandehurit B.A iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, pasi që Gjykata ka konstatuar se janë përmbushur kriteret në bazë të nenit 187 par.1 nën par. 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.3 të KPPRK-së”, thuhet në njoftim.

Sipas gjykatës, kjo masë është adekuate për zhvillim të papenguar të çështjes penale, duke marrë parasysh rrethanat në të cilat është kryer vepra penale dhe moshën e të dëmtuarave.

“Gjykata ka konstatuar se masa e paraburgimit është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, ngase duke pasur parasysh peshën e veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilën është kryer vepra penale si dhe moshën e të dëmtuarave/miturave, tregojnë rrezikun se nëse i pandehuri ndodhet në liri, mund të përsërisë vepër penale të njëjtë apo të ngjashme”, thekson njoftimi.

Si dyshohet se ndodhi e tërë ngjarja:

Të martën e 4 gushtit, dy vajza 13-vjeçare nga Prishtina janë raportuar të zhdukura nga familjarët e tyre. Gjatë kohës sa nuk ishin në shtëpi, ato po dyshohet se janë sulmuar seksualisht nga një burrë 43-vjeçar.

U takuan në një kafene.

Nga aty, 43-vjeçari po dyshohet se mori vajzat e mitura dhe me veturën e tij i dërgoi në një hostel.

Sipas burimeve të mediave brenda Prokurorisë, i dyshuari kishte paguar një dhomë për vajzat, por ishte futur edhe vetë aty, për qëllime seksuale.

“Janë njoftuar diku në kafiteri në Podujevë, me veturë i ka dërguar në motel, aty ua kishte paguar një dhomë, në të cilën kishte hyrë edhe vetë, për qëllime seksuale”, kanë thënë nga Prokuroria.

Pas ekzaminimeve mjekësore, është konstatuar se i dyshuari dhe të miturat nuk kanë kryer marrëdhënie seksuale, por ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti si “Sulm seksual”.

“Janë bërë ekzaminimet, nuk kemi të bëjmë me dhunim, por me sulm seksual. I ka prekur, i ka ngacmuar, por nuk ka ndodhur akti seksual. Vepra ekziston, vajzat janë shumë të vogla, i dyshuari është i martuar. E kemi ndaluar personin, e kemi bërë aktvendimin, po presim ta deponojmë nesër në mëngjes për Gjykatë”, kanë thënë burime brenda Prokurorisë.

Sipas të njëjtave burime, të miturat ishin raportuar të zhdukura nga familjarët.

Detaje për këtë rast kanë dhënë edhe nga Policia e Kosovës.

Burime të gazetës brenda policisë kanë thënë se të miturat ishin raportuar të zhdukura më datën 4 gusht, ndërkaq një ditë më pas ishin kthyer në shtëpitë e tyre.

“Më 4 gusht janë raportuar të zhdukura, të nesërmen janë kthyer në shtëpi. Bazuar në deklaratat e tyre, Policia ka ndërmarrë masa në koordinim me Prokurorinë. Në bazë të këtyre informatave, është iniciuar rasti dhe dje (të martën) është identifikuar i dyshuari”, kanë thënë nga Policia.

Ndërkaq, policia në raportin 24 orësh ka njoftuar se i dyshuari është arrestuar në orët e mbrëmjes të së martës.

Sipas raportin të policisë, ai është arrestuar nën dyshimin se ka kryer marrëdhënie seksuale me dy vajza të mitura.

“SULM SEKSUAL-Prishtinë 04.08.2020 – 20:00. Me datën 11.08.2020 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se dyshohet të kryer marrëdhënie seksuale me dy viktimat e mitura femra kosovare. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, kurse viktimat do të dërgohen në ekzaminim mjekësor”, deklarohet në raportin e policisë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat