Gjuriq i quan "provokuese" deklaratat e Hotit për takimin në Uashington

Lajme

Gjuriq i quan "provokuese" deklaratat e Hotit për takimin në Uashington

Më: 14 gusht 2020 Në ora: 14:42
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë të premten se deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti lidhur me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington si dy shtete të pavarura, janë “provokuese”, duke i cilësuar të njëjtat si "përpjekje e ulët për të krijuar një klimë të keqe politike, dhe për të parandaluar arritjen e çfarëdo marrëveshjeje”.

Gjuriq ka thënë përmes një deklarate se Hoti në këtë mënyrë “ka nënvlerësuar nikoqirët e takimit në Uashington”, derisa sipas tij, pavarësisht qëndrimit zyrtar të Shteteve të Bashkuara për “pavarësinë e vetëshpallur të Kosovës, ata me siguri janë të vetëdijshme se ky territor de fakto dhe de jure është larg pavarësisë së vërtetë”.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë ndër të parat vende që kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, derisa zyrtarët e tyre trajtojnë Kosovën gjithnjë si shtet të pavarur.

Reagimi i Gjuriqit vjen pasi i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes këtyre dy shteteve, Richard Grenell ka bërë të ditur se është duke u planifikuar mbajtja e një takimi në mes të zyrtarëve kosovarë dhe atyre serbë më 2 shtator.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë konfirmuar se i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së Grenellit për takim në Shtëpi të Bardhë.

Të dy liderët kanë thënë se në këtë takim do të bisedohet për çështje ekonomike.

Ky është takimi i dytë i thirrur nga Grenelli.

I pari, i planifikuar për 27 qershor, ishte anuluar pak ditë para mbajtjes, meqë Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë kishte deklaruar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit.

Megjithatë, dialogu mes këtyre dy shteteve ka rinisur më 16 korrik në Bruksel.

Ky proces, që ndërmjetësohet nga pala evropiane, ka nisur më 2011.

Ai ishte bllokuar nga nëntori i vitit 2018, pasi autoritetet e Kosovës patën vënë taksë në mallrat serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat