Shoku kroat nga ditët e shkollës: Pse duhet ta ndjekim Dritan Abazoviqin

Lajme

Shoku kroat nga ditët e shkollës: Pse duhet ta ndjekim Dritan Abazoviqin

Dush Gashi Nga Dush Gashi Më 19 shtator 2020 Në ora: 17:48
Dritan Abazoviq

Dritan Abazoviqin, njeriun emri i të cilit nga zgjedhjet e Malit të Zi e këtej po përmendet shpesh, dhe rrallë pa zë të ngritur, e kam njohur në fund të pranverës së vitit 2009. Të dy kishim fituar bursë nga fondacioni norvegjez Fritt Ord për të marrë pjesë në një shkollë verore në Universitetin e Oslos.

"Klikuam" shpejt. Dritanin e përjetova si njeri jashtëzakonisht inteligjent dhe elokuent, i cili edhe atëherë ishte i fokusuar në ndryshimin e shoqërisë në të cilën jeton.

Nuk ka asgjë për të cilën nuk kemi biseduar - nga qëndrimi ndaj pakicave në Kroaci dhe Mal të Zi, përmes sundimit të ligjit në vendet tona, deri te mënyra se si do të dëshironim të dukeshin shoqëritë tona në të ardhmen.

Për mua, edhe atëherë, nuk kishte asnjë dyshim që Dritani do të përfundonte në politikë dhe nuk u habita kur, disa vjet më vonë, dëgjova që Dritani u zgjodh në parlamentin e Malit të Zi.

Dritani u bë anëtari më i ri i parlamentit malazez në vitin 2012 dhe duke parë konfrontimet e tij me Gjukanoviqin në YouTube, ndjeja simpati për angazhimin e tij për transparencë, demokracinë dhe shtetin e së drejtës.

Dritani kishte - dhe ende ka - aftësinë për të artikuluar vlerat e tij progresive dhe pikëpamjet politike në një mënyrë shumë të thjeshtë dhe të kuptueshme, dhe në të njëjtën kohë energjike dhe bindëse.

Karrierën politike të Dritanit e kam ndjekur me kënaqësi dhe gjithmonë me shumë interesim, sepse vërtet kam besuar se do të vinte koha kur Dritan do të shfrytëzonte rastin që në shoqërinë e tij të inicojë gjitha ndryshimet për të cilat më fliste ndërsa po studinim në Oslo.

Kur ai çast më në fund erdhi, mbeti nën hijen e egërsimit nacionalist, shovinist të partnerëve të koalicionit të Dritanit dhe të gjithë atyre që i mbështesin, jo vetëm në Mal të Zi, por edhe në Bosnjë-Hercegovinë dhe veçanërisht në Serbi.

Fotoja e Zdravko Krivokapiqit duke puthur dorën e Amfilohije Radoviqit, njeriut i cili me të gjitha pikëpamjet e tij është diametrisht i kundërt me Dritan Abazoviqin siç e njoh unë, sinqerisht më ka tronditur.

Duket se "njeriu që mban të ardhmen e Malit të Zi në duart e tij", siç e karakterizojnë disa media Dritanin, është në situatë për të zgjedhur midis dy të këqijave: nga njëra anë, korrupsionin e Gjukanoviqit dhe qeverinë jodemokratike të mbështjellë në celofan të evropianizmit dhe distancës nga Serbia, dhe nga ana tjetër, përpjekje për të ndryshuar në krahët e demonit të nacionalizmit, mendjengushtësisë, urrejtjes ndaj diversitetit dhe mitomanisë nacionaliste të Serbisë së Madhe.

Kjo zgjedhje, jo e Sofjes por e Dritanit, është e ngjashme me atë me të cilën përballet edhe Serbia qytetare.

Në të vërtetë, vendi në të cilin partia nacionaliste në pushtet në zgjedhje (në të cilat dalin më pak se 50% të votuesve) fiton mbi 60% të votave, partia e parë vijuese, partneri koalicioni i partisë në pushtet, fiton 11% të votave, dhe të gjitha partitë e opozitës së bashku as aq, është vend sistemi politik i të cilit është i korruptuar dhe rrëshqet drejt njëpartishmërisë autoritare.

A është për demokracinë në atë vend më i mirë dhe më i shëndetshëm çfarëdo qoftë ndryshimi, madje edhe drejt nacionalizmit edhe më të madh dhe ekstremizmit të djathtë, me shpresën se ndryshimi tjetër - i cili tani është më i mundshëm dhe më i lehtë - do të jetë drejt një shoqërie civile më të moderuar qytetare, progresive?

Më duket se përgjigja e Dritan Abazoviqit në këtë pyetje përmbahet në përpjekjen e tij për të "zbutur" partnerët e tij të koalicionit dhe për t'i kushtëzuar ata me zgjedhjen e një kryeministri të një botëkuptimi qytetar, progresiv, si dhe duke qëndruar në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Me fjalë të tjera, me zgjedhjen e Dritan Abazoviqit.

Nëse Dritan Abazoviq arrin të bëhet kryeministër i ardhshëm i Malit të Zi, unë jam i gatshëm të besoj se ai ka një shans për të "mbajtur ujkun e ngopur dhe dhinë të tërë", domethënë të ketë një shans për një sundim më të madh të ligjit dhe demokracisë në Mal të Zi, dhe për të shuar shovinizmin dhe nacionalizmin çfarë i pamë menjëherë pas zgjedhjeve.

Të mos gënjehemi, shanset për një gjë të tillë i konsideroj shumë të vogla, por mendoj se ato ekzistojnë.

Fundja, diçka të ngjashme kemi parë në zgjedhjet lokale në Hungari, në të cilat e gjithë opozita Fideszit të Orbanit - nga e djathta ekstreme deri te e majta progresive - vrapuan së bashku, të tubuara rreth lëvizjes progresive Momentum dhe arritën sukses të madh. Orbanit iu rrëmbyen katër nga pesë qytetet kryesore hungareze, përfshirë Budapestin, si dhe kontrolli nga një numër i madh i rajoneve.

Mirëpo, që aleanca të tilla të funksionojnë, ata që bashkohen në aleanca të tilla duhet të jenë të përkushtuar për demokraci, e ajo përfshinë edhe gjëra me të cilat disa partnerë të Abazoviqit kanë probleme, siç janë respektimi i të drejtave të pakicave kombëtare dhe gjinore.

Rruga e Malit të Zi nuk është e qartë tani për tani, por të gjithë sytë janë drejt saj dhe drejt Dritan Abazoviqit.

I dëshiroj nga zemra të bëjë zgjedhjen e duhur, të bëjë të mira për vendin e tij dhe të realizojë së paku një pjesë të ideve të lira për të cilat më ka folur.

(Bojan Gllavasheviq është politikan, gjuhëtar e sociolog dhe anëtar i parlamentit kroat. Teksti është marrë nga portali Autograf.hr)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat