Anulohen 4 pozita të jashtëligjshme në administratë, shuhet departamenti i infermierisë

Lajme

Anulohen 4 pozita të jashtëligjshme në administratë, shuhet departamenti i infermierisë

Më: 21 shtator 2020 Në ora: 12:02
Foto ilustrim

Drejtori i SHSKUK-së Valbon Krasniqi ka anuluar katër pozita në administratën e QKUK-së, të cilat nuk kanë qenë në përputhje me statutin e këtij institucioni.

Pasi Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar shfuqizoi organogramin me anë të të cilit ishin punësuar jashtëligjshëm dhjetëra menaxherë e zyrtarë në këtë institucion, tani ka filluar edhe shuarja e këtyre pozitave.

Me një vendim të datës 15 shtator të cilin e ka parë Gazeta, drejtori i SHSKUK-së Valbon Krasniqi, ka anuluar kontratat e punës për katër pozita në administratë, tre prej tyre menaxherë.

Driton Morina ishte punësuar në kohën kur shëndetësia udhëhiqej nga ish-ministri Uran Ismaili. Morina fillimisht ishte punësuar në cilësinë e monitoruesit të Klinikës Emergjente, e më pas ishte transferuar me konkurs të brendshëm në pozitën e zëvendës drejtorit të Shërbimeve të Përbashkëta.

Me vendimin për anulimin e kontratës dhe vendit të tij të punës, Morina është sistemuar në pozitën “zyrtar administrativ për recepsion dhe shtrim në QKUK”.

Kontrata dhe vendi i punës është anuluar edhe për Ilir Jonuzin i cili ka mbajtur pozitën e shefit të Njësisë së Teknologjisë Informative në Sektorin e Shërbimeve Teknike të QKUK-së. Jonuzi është rikthyer sipas kontratës së punës në pozitën zyrtar administrativ.

Me vendim të Krasniqit është shuar zyra e Departamentit të Infermierisë në QKUK. U.D. drejtori Sami Tahiraj i cili ishte emëruar në këtë pozitë nga ish-drejtori Basri Sejdiu, pas anulimit të konkursit, tani do të rikthehet sërish në pozitën e infermierit në Klinikën e Psikiatrisë në QKUK.

Edhe zyrtari i kësaj zyre Ardian Gashi do të largohet nga kjo pozitë me vendim të Krasniqit. Gashi do të sistemohet në pozitën e teknikut të anestezionit, ku ka qenë duke punuar para se të emërohej si zyrtar në departamentin e infermierisë.

Vendimet për anulimin e pozitave të jashtëligjshme në bazë të shfuqizimit të organogramit nga Bordi, pritet të vazhdojnë edhe më tutje. Kujtojmë se SHSKUK është duke përgatitur organogramin e ri, në bazë të të cilit do të shpallen pozitat e reja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat