Sadiku: Lutfi Haziri më njoftoi se Agon Musliu kishte shqetësime

Lajme

Sadiku: Lutfi Haziri më njoftoi se Agon Musliu kishte shqetësime

Më: 23 shtator 2020 Në ora: 11:54

(E plotësuar) - Ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku po dëshmon para Komisionit hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë COVID-19 nga Qeveria.

Në këtë komision, Sadiku është pyetur edhe rreth rastit të të ndjerit Agon Musliu që i dha fund jetës gjatë qëndrimit në karantinë në Qendrën e Studentëve.

Sadiku tha se informatën zyrtare se i ndjeri Musliu kishte probleme shëndetësore e kishte marrë nga kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

“Më datën që ka ndodhur rasti ka qenë nëse nuk gabohem 3 maj ditë e diele ka qenë. Në ora 15:55 më ka thirr në telefon kryetari i Gjilanit më ka thënë: ‘Izet e keni një qytetar i cili ka ardhur dje dhe familjarët më kanë se është vendosur në karantinë nga Gjermania dhe më kanë thënë se ka shqetësime dhe probleme psikologjike në bazë të komunikimit që kanë me të’. I kam thënë ‘në rregull, dërgoni të dhënat e qytetarit dhe të lutem dërgojeni një email zyrtare në Qendrën Operative, por unë do i përcjell’. Dhe në orën 15:57 minuta kryetari mi ka dërguar: ‘Agon Musliu, konvikti numër 7, kati i 4-të, i lindur më 30.12.94 dje është kthyer nga Gjermania’. Unë në 15:59 pas dy minutash e kam thirr menaxherin, doktor Valdetin, e kam njoftuar me të njëjtin mesazh dhe i kam thënë po t’i dërgoj të dhënat që mi ka dërguar kryetari me copy-paste”, deklaroi Sadiku.

***

Infektologu dhe ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku është duke raportuar në Komisionin hetimor parlamentar për menaxhimin e pandemisë, lidhur me vdekjen e të riut Agon Musliu nga Gjilani.

Sadiku ka treguar procesin e komunikimit që kishte pasur ai me kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri.

“Në ora 15:55 më ka thirr kryetari i Gjilanit më ka thënë Izet e kemi një qytetar që është ardh dje dhe është vendos në karantinë dhe ka shqetësime psikologjike. I kam thënë dërgomi të dhënat e qytetarit dhe dërgo një email zyrtar në qendrën operative. Në ora 15:57 minuta mi ka dërgua të dhënat kryetari i Gjilanit. Unë në ora 15:59 e kom thirr menaxherin dr. Valdetin e kom njoftua me të njëjtin mesazh që mi ka dërgua kryetari i Gjilanit, dhe i kam thënë të shkruan email edhe qendra e Gjilanit. Në ora 16:06 minuta, menaxheri i qendrës më ka thënë se tash e bëjnë kërkesën sepse kanë edhe disa tjerë. Ky ka qenë komunikimi që kam pasur me kryetarin e Gjilanit dhe menaxherin”, ka thënë Sadiku.

Ai ka thënë se hera e parë që ka dëgjuar për të ndjerin Agon Musliu ka qenë data 3 maj 2020.

Kryetarja e këtij komisioni, Mimoza Kusari-Lila ka pyetur infektologun Sadiku se gjatë komunikimit me kryetarin e Gjilanit a është përmendur ndonjë diagnozë tjetër pasi që babi i të ndjerit ka prezantuar një raport mjekësor se Agoni ka pasur probleme me mëlçinë.

Sadiku ka thënë se jo, dhe se adresimi i vetëm te ai ka qenë që i ndjeri ka pasur shqetësime psikologjike.

“Adresimi të unë ka qenë vetëm se ka shqetësime psikologjike, dhe ka nevojë për një mjek dhe atë shqetësim e kam adresua unë”, ka thënë Sadiku.

Sadiku është pyetur nga anëtarja e këtij komisioni deputetja Eliza Hoxha, se a ka pasur dikush shqetësim për Agonin më herët.

Infektologu ka thënë se i vetmi komunikim dhe hera e parë që ka dëgjuar për emrin e tij ka qenë ora 15:55

“asnjë informatë më herët prej dikujt nuk kam pasur për të, as që ka ardhur e as për shqetësimet që ka pasur”, ka thënë Sadiku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat