Vuçiq në KB: Pikënisja e dialogut nuk bën të jetë pavarësia e Kosovës

Lajme

Vuçiq në KB: Pikënisja e dialogut nuk bën të jetë pavarësia e Kosovës

Nga: D.G. Më: 24 shtator 2020 Në ora: 07:23
Aleksandar Vuçiq

Kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi mbrëmë para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara  se Beogradi beson se me dialog do të mund të arrihet një zgjidhje për çështjen e Kosovës, por se ai kurrë nuk do të pranojë poshtërimin.

Në sesionin e 75-vjetorin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, për herë të parë virtualisht, me fjalime të regjistruara të krerëve të shteteve ose qeverive, Vuçiq tha se pikënisja në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës nuk bën të jetë "poshtëruese dhe e papranueshme" për Serbinë, e cila paraqet pavarësinë e Kosovës, bën të ditur gazeta "Danas".

"Ne besojmë se pas një dialogu të gjatë dhe të vështirë, mund të arrihet një zgjidhje, por të jeni të sigurtë se Serbia kurrë nuk do të pranojë poshtërimin. Për ne nuk është asgjë e pranueshme që nuk është kompromis me të cilin të dy palët duhet të jenë njësoj të kënaqur ose të pakënaqur," tha Vuçiq, transmeton Bota Sot.

Ai vlerësoi se hapi i parë është rinovimi i dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës nën kujdesin e BE-së, pas 20 muajve stagnimi, por ai gjithashtu e përshkroi si hap të madh përpara nënshkrimin e fundit të marrëveshjes së Uashingtonit midis Serbisë dhe Kosovës mbi normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.

"E shfrytëzoj këtë mundësi për të theksuar dhe vlerësuar rolin shumë konstruktiv dhe të rëndësishëm që administrata e presidentit të SHBA-së Donald Trump luajti në arritjen e marrëveshjejes, e cila është e përkushtuar për të gjetur një zgjidhje të përhershme dhe të qëndrueshme për këtë çështje të rëndësishme", tha presidenti serb.

Vuçiq tha se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet përparësia e politikës së jashtme të Serbisë, por se ai nuk përjashton thellimin e bashkëpunimit me vendet e tjera.

"Kultivojmë marrëdhënie partneriteti me vendet perëndimore, përfshirë bashkëpunimin gjithnjë e më intensiv me Shtetet e Bashkuara, por në të njëjtën kohë jemi krenarë për marrëdhëniet e jashtëzakonshme me Rusinë dhe Kinën. Siç mund ta shihni, ne nuk e fshehim këtë, jemi krenarë për miqësitë tona. "Bashkëpunimi me vendet mike afrikane, aziatike dhe të Amerikës së Jugut është gjithashtu fokusi i politikës sonë të jashtme," tha ai.

Ai shtoi se pika themelore e fillimit të politikës së jashtme të Serbisë është përmirësimi i bashkëpunimit rajonal.

"Serbia po përpiqet të vërë një theks të veçantë në zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik, sepse beson se një qasje e tillë mund të kontribuojë në forcimin e besimit të ndërsjellë dhe zgjidhjen më të lehtë të çështjeve të hapura," tha Vuçiq.

Ai tha se me udhëheqësit nga rajoni ka nisur iniciativën "mini-Shengen", e cila është gjithashtu e hapur për ekonomitë e tjera në Ballkanin Perëndimor.

Ai deklaroi se vendimi për krijimin e "korridoreve të gjelbërta" në rajon ishte i dobishëm dhe se mundësoi transportin e papenguar të ndihmës gjatë pandemisë së virusit korona.

Vuçiq tha se Serbia u kushton shumë rëndësi përpjekjeve të KB-së për të ruajtur paqen dhe sigurinë në botë dhe theksoi se Serbia është vendi kryesor në rajon dhe i nëntë në Evropë për sa i përket kontributit për forcat ushtarake dhe policore në misionet e KB.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat