LAJMI I FUNDIT: EULEX-i arreston Hysni Gucatin

Lajme

LAJMI I FUNDIT: EULEX-i arreston Hysni Gucatin

Më: 25 shtator 2020 Në ora: 11:38

(E plotësuar) - Sipas Metush Kryeziut, anëtar i kryesisë së OVL-së së UÇK-së, kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati, tashmë është transferuar për në Hagë.

Ai ka thënë se këtë informatë e ka marrë nga familjarë të Gucatit.

Kryeziu ka thënë se çdo arrestim i ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës bëhet mbi dosje të paqena.

Ai ka thënë tutje se nuk kanë ftuar veteranët e UÇK-së që të dalin kundër arrestimit nga EULEX-i duke shtuar se po të ndodhte ajo do të kishte “rezistencë më të madhe”.

***

Avokati Tomë Gashi ka konfirmuar arrestimin e Hysni Gucatit nga policia e EULEX-it, përcjell Bota sot.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se Gucati do të transferohet në Hagë.

Postimi i plotë:

Tani u arrestua nga policia e EULEX-it kryetari i OVL te UÇK zoti Hysni Gucati dhe do të transferohet në Hagë!

Bastisjet po vazhdojnë!

Image

***

Nënkryetari i OVL-UÇK, Nasim Haradinaj ka treguar se është arrestuar kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati. Arrestimi ndodhi gjatë bastisjes së sotme që po bënë EULEXI tek zyrat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Haradinaj thotë të jetë kontaktuar nga Gucati e që i ka treguar se është arrestuar.

“Zoti Gucati më thirri më tha hajde se më kanë arrestuar e po më dërgojnë për në Hagë, por ende nuk u kry procedurat për arrestimit kështu janë duke më pritur edhe mua se edhe unë duhet të jem aty. Unë jam në Deçan, e tash jam nis me ardh në Prishtinë e të shkojmë çka po ndodh”, tha Haradinaj.

***

 Pjesëtarët e Policisë e Kosovës të cilët po qëndrojnë pranë dyerve të ndërtesës ku ndodhet zyra e OVL-UÇK-së, kanë kërkuar nga mediat që të dalin në anën tjetër të rrugës dhe të lirohet rruga.

Persona të shoqëruar nga pjesëtarë të policisë së EULEX kanë hyrë në zyrat e OVL-UÇK.

Jashari për bastisjen e EULEX-it në OVL-UÇK: Nuk do lejojmë spektakle të tilla

Kryetari i shoqatës së familjeve të dëshmorëve, Xhavit Jashari ka thënë se nuk do lejojnë spektakle të tilla.

Ai ka kërkuar që të intervenojë edhe Policia e Kosovës pasi siç tha ai nuk kanë parë ndonjë letër.

***

Në zyrat e OVL-UÇK ku është duke vazhduar aksioni i bastisjes nga pjesëtarët e Njësisë Speciale të Kosovës dhe ato të EULEX.

Image
Tomë Gashi

Në zyrat e OVL-UÇK-së tashmë ka arritur edhe avokati mbrojtës i OVL-UÇK-së, Tomë Gashi.

Faton Klinaku: “Këtyre nuk iu besohet, këta bëjnë montazha, as përkthyes nuk kanë”

“Edhe Jugosllavia ka bërë kështu, por jemi detyruar t’iu kundërpërgjigjur”, ka thënë Faton Klinaku, sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, kur ka folur për bastisjen që EULEX-i po ua bën zyrave të organizatës.

“Nëse shteti nuk merr masa, do të detyrohemi ne ta bëjmë”, ka vazhduar Klinaku, duke iu referuar atyre që po ua bastisin zyrën si “këta kriminela”.

Ai shtoi se në momentin kur hynë trupat e EULEX-it për të bastisur ai ishte “në zyre duke pirë kafe”.

Klinaku deklaroi gjithashtu se askush nuk po u shpjegon asgjë, ndërsa ata që janë futur në zyrë nuk po flasin për të sqaruar përse ata janë futur në zyrat e tyre.

“Isha në zyre duke pirë kafe dhe këta zotërinj nuk prezantojnë kurrfarë letre. Edhe Jugosllavia ka bërë kështu po jemi detyruar t’iu kundërpërgjigjur”, ka përsëritur Klinaku.

 

***

Sekretari i OVL UÇK-së, Faton Klinaku, tha se aksioni i sotëm i EULEX-it në zyrat e kësaj organizate është i kundërligjshëm.

Ai në një prononcim ka drejtuar akuza ndaj institucioneve të Kosovës që siç tha ai “po na detyrojnë të merren vetë me këta matrapazë”.

“Ky është aksion i kundërligjshëm i EULEX-it. Ata kanë ardhur në zyrat tona dhe vetëm po kontrollojnë. Fajet i ka shteti jonë që po na detyron të merremi ne vetë me këta matrapazë”.

Klinaku tha se nuk e dinë se pse ndodh ky aksion derisa tha se nuk ia kanë kërkuar as dosjet që i morën disa herë nga disa persona të panjohur.

***

Policë të armatosur të EULEX-it janë parë teksa kanë hyrë në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtrare të Kosovës, ku priten arrestime të reja.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme ka ndodhur edhe arrestimi i parë nga Gjykata Speciale.

Salih Mustafa është i arrestuari i parë i Speciales nën pretendimin se i njëjti ka kryer krime lufte.

Aktakuza kundër Mustafës ka të bëj me veprat kriminale që ndërlidhen me ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Këto vepra, sipas aktakuzës së prokurorisë së Specializuar të Hagës, janë konsumuar gjatë muajit prill të vitit 1999.

Image
Aksioni
Image
Aksioni
Image
Aksioni

***

Disa pjesëtarë të EULEX-it në këto çaste po realizojnë një aksion në kryeqytet.

Të pajisur me armë të gjata, policët e këtij misioni janë futur në zyrat e Organizatë së Veteranëve të Luftës.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat