Vuçiq e donte vetëm dobësimin e Gjukanoviqit, për çfarë ka frikë tash?

Lajme

Vuçiq e donte vetëm dobësimin e Gjukanoviqit, për çfarë ka frikë tash?

Nga: D.G Më: 26 shtator 2020 Në ora: 16:36
Milo Gjukanoviq e Aleksandar Vuçiq

Vuçiq në Mal të Zi ka luajtur në dy karrike, pjesërisht duke e ndihmuar opozitën proserbe e pjesërisht duke mos e dëmtuar partnerin e tij politik e afarist Milo Gjukanoviq.

Ai llogariste që situata do të ishte e pazgjidhur, se Milo do të dilte nga ato zgjedhje i dobësuar, por jo i mundur, dhe se ai do të merrte rolin e ndërmjetësit dhe kështu të përfitonte duke krijuar një qeveri kukull, si ajo në Mitrovicën e Veriut ose në Republika Sërpska. Nuk e merrte me mend se një kombinim i rrethanave do ta çojnë një humbje më bindëse mikun e tij Gjukanoviq. Ai nuk llogariti as në faktin se vala e entuziazmit malazez për përmbysjen e regjimit autokratik në zgjedhje, të udhëhequr nga profesori Zdravko Krivokapiq, mund të përhapet në Serbi. Kjo është gjithashtu arsyeja pse mediat pro regjimit në Serbi kanë pohuar ditët e fundit se asgjë nuk do të ndryshojë në Malin e Zi dhe se gjithçka bazohet në parimin e zbret Kurtit që të hypë Murti.

Gjithë këto ia kanë thënë bashkëbiseduesit nga Podgorica dhe Beogradi gazetës "Danas", duke theksuar se zhgënjimi i Vuçiqit pasoi në momentin kur ai e kuptoi se nuk mund të manipulonte treshen fituese në zgjedhjet e Malit të Zi - Krivokapiqin, Abazoviqin dhe Beçiqin.

Deklarata e Zdravko Krivokapiqit se Vuçiqi dhe Gjukanoviqi janë "miq më të mëdhenj" sesa ai me kumbarin e tij më të ngushtë dhe se ata i lidhë projekti Beogradi mbi ujiw, shtuan vaj në zjarr në mediat pro regjimit në Beograd.

Zheljko Ivanoviq, kolumnist dhe bashkëpronar i të përditshmes malazeze "Vijesti", i ka thënë gazetës beogradase se Krivokapiqi nuk bëri asgjë të keqe sepse njohja, partneriteti dhe vëllazëria e Vuçiqit dhe Gjukanoviqit ka zgjatur për më shumë se dhjetë vjet.

"Gjukanoviqi e ka krijuar Vuçiqin, ai e ka ndarë atë nga Partia Radikale Serbe, ai e ka promovuar atë te amerikanët si një njeri i besueshëm i cili do të zgjidhë çështjen e Kosovës, i cili do ta kthejë Serbinë në Perëndim." Kur amerikanët tundën kokën, manjatët e Gjukanoviqit dhanë para në Beograd për Partinë e re Progresive Serbe. Dhe kështu Vuçiqi, për herë të parë dhe të vetme në vitin 2012, i gjithi i lumtur dhe rrezatues erdhi te Gjukanoviq në Podgoricë, dhe aty formalisht është përjetësuar partneriteti zyrtar dhe partiak, politik, privat dhe shtetëror midis Vuçiqit dhe Gjukanoviqit, që zgjati deri në protestat e serbëve dhe i cili indirekt zgjat deri më sot”, shpjegon Ivanoviq.

I pyetur se si i interpreton marrëdhëniet e ngushta të presidentit serb me opozitën pro-serbe në Mal të Zi, Ivanoviq thotë se Fronti Demokratik (FD) është vetëm një marionetë, që luan për bosë të ndryshëm.

"Ata luajnë për atë që jep më shumë para. Së pari amerikanët u përpoqën të luanin me ta rreth NATO-s në fillim të vitit 2010, por ata i mashtruan, pastaj ua hodhën rusëve përmes një grushti shteti. FD është një servis i zakonshëm i qendrave të ndryshme të pushtetit dhe i gatshëm për të ardhur në pushtet në Mali tw Zi në një mënyrë kuislinge, por ata kurrë nuk patën sukses, sepse janë të paaftë për këtë. Të gjithë ata që luajtën me ta dhe investuan para të mëdha humbën. Në vitin 2016 figuronte shifra prej 16 milionë eurosh që hynë në fushatën e tyre nga manjatët e ndryshëm rusë. Tani po përmenden miliona, të paktën 10 milionë euro, të cilat Vuçiqi i investoi nën firmën e të ashtuquajturit kujdes për serbët në rajon, apo në ndërtesën e Shtëpisë serbe, e cila është regjistruar në emër të personave fizikë dhe e cila u pagua rreth 3.5 milionë euro. Dy vjet më parë, vetë Vuçiqi, në një bisedë me një analist lokal, tha privatisht se vetëm ai e di se sa i kushton serbizmi i tyre profesional", thekson Ivanoviq.

Ai shton se Vuçiq nuk llogariti në paraqitjen e Krivokapiqit, Abazoviqit dhe Beçiqit, sepse nëse nuk do të ishin ata, "Milo do të kishte fituar dhe do të bënte një shumicë të re me kuislingët".

Bashkëbiseduesi thotë se sot është e qartë që Vuçiq humbi në Mal të Zi dhe se kjo është tani një mundësi e madhe për opozitën në Serbi, sepse një Serbi demokratike dhe e lirë është miku më i mirë i Malit të Zi.

Gjorgje Vukadinoviq, redaktor i revitës "Mendimi i ri politik serb" thotë se Vuçiq në Mal të Zi ka luajtur në dy karrike, pjesërisht duke e ndihmuar opozitën proserbe e pjesërisht duke mos e dëmtuar partnerin e tij politik e afarist Milo Gjukanoviq.

"Marrëdhëniet midis dy regjimeve janë shumë-shtresore dhe të thella ... Ajo që është e çuditshme dhe paradoksale në shikim të parë dhe të dytë është se marrëdhëniet midis autoriteteve në Beograd dhe opozitës malazeze-pro-serbe, të mishëruara në Frontin Demokratik, janë përmirësuar shumë. Është vështirë të flasësh për nuancat në atë trekëndësh, sepse bazat e marrëdhënieve politiko-biznesore midis Vuçiqit dhe Gjukanoviqit janë akoma në fuqi ", thotë Vukadinoviq.

Ai shton se është i bindur që Vuçiqi luajti në dy karrige në zgjedhjet malazeze, se ai vetëm ndihmoi opozitën, duke llogaritur se situata do të ishte e pazgjidhur dhe se Gjukanoviq do të dilte i dobësuar, por jo i mundur.

Vukadinoviq shton se qëllimi i Vuçiqit ishte të luante rolin e ndërmjetësit në formimin e qeverisë së re malazeze, por që opozita fitoi më bindshëm falë protestave të serbëve, metropolitit dhe krizës ekonomike.

"Humbja e Gjukanoviq shkaktoi eufori të vërtetë në Malin e Zi, por edhe në Serbi dhe ai entuziazëm për përmbysjen e regjimit autokratik në zgjedhje kërcënon të përhapet në Serbi dhe kjo është ajo që është shqetësuese për autoritetet serbe. E ardhmja e pozitës së tij e shqetëson vetë Vuçiqin dhe kjo është arsyeja pse javët e fundit mediat e afërta me regjimin e Vuçiqit kanë bërë fushatë kundër opozitës malazeze, veçanërisht drejt Krivokapiqit, me qëllim për të zvogëluar rëndësinë e fitores së tyre dhe për të zvogëluar ngjitjen e precedentit malazez në kornizën rajonale. Vuçiq vazhdon të luajë për drejtuesit e Frontit Demokratik, por ai duhet ta dijë se askush nuk e pëlqen të jetë kuisling, sidomos kur është afër pozitës së pushtetit", thotë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat