A po kthehet Serbia kah Perëndimi?

Lajme

A po kthehet Serbia kah Perëndimi?

Nga: D.G Më: 27 shtator 2020 Në ora: 18:18
Vuçiq dhe Gjukanoviq

Kryetari i Qendrës për Politikë të Jashtme dhe profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, Dragan Gjukanoviq, thotë se pavarësisht nga takimi i fundit në Uashington dhe vizita e delegacionit amerikan në Beograd, nuk ka ndonjë kthim thelbësor të politikës së jashtme të Serbisë ndaj Perëndimit.

Gjukanoviç i ka thënë agjencisë Beta se Serbia është një nga vendet e pakta që nuk ka partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), dhe në të njëjtën kohë ka me shumë vende aziatike, me Rusinë, Kinën, madje edhe me disa vende evropiane si Italia dhe Franca.

"Është e vështirë të thuash që ky kurs tash po ndryshon, kështu ka qenë vazhdimisht për dy dekada. Ai nuk është ndryshuar ose zëvendësuar në mënyrë thelbësore në vitin 2000, kur u krijua mundësia, dhe me kalimin e kohës, ne jemi gjithnjë e më pak në gjendje të bëjmë një kthesë radikale drejt perëndimit. "Kjo është vetëm një kthesë e lehtë në Perëndim, por jo një kthesë thelbësore e politikës së jashtme të Serbisë," tha profesori.

Ai shtoi se Serbia gjithashtu ka tema të hapura me Shtetet e Bashkuara, të tilla si vrasja e vëllezërve Bytyqi menjëherë pas ndërhyrjes së NATO-s dhe çështja e pazgjidhur e ndjekjes penale të njerëzve që dogjën ambasadën e ShBA-së në shkurt të vitit 2008.

I pyetur se cilat janë interesat kryesore të Shteteve të Bashkuara në Ballkan, Gjukanoviç tha se Shtetet e Bashkuara e kanë ndërtuar gjeopolitikisht Ballkanin Perëndimor. "Ky është një produkt jo vetëm i shpërbërjes së ish-Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë, por edhe i interesit të Shteteve të Bashkuara për të plasuar interesat e tyre në Ballkan." "Në dekadën e kaluar, Amerika ishte në një farë mënyre e përjashtuar nga Ballkani Perëndimor, por është mjaft e qartë se tani ajo dëshiron të kthehet gradualisht dhe të përfundojë disa procese të papërfunduara," tha ai.

Sipas tij, përparësi e Shteteve të Bashkuara është stabiliteti i rajonit, dhe mbi të gjitha zgjerimi i NATO-s kur bëhet fjalë për Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën, dhe forcimi i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.

Në pyetjen nëse qeveria në Serbi, kur bëhet fjalë për politikën e jashtme, i ka vënë të gjitha kartat në Donald Trumpin, Gjukanoviç thotë se në politikën e jashtme amerikane ekziston një vazhdimësi elementare e përpjekjeve politike dhe marrëdhënieve ndaj rajonit.

"Pra, edhe nëse do të ketë një ndryshim në Shtetet e Bashkuara, dhe (Joseph) Biden të jetë president i ardhshëm amerikan, mbase vetëm pak qasja do të ndryshojë, por thelbi i përpjekjeve të SHBA-së drejt rajonit nuk do të ndryshojë. Në këtë kuptim, nuk ka ndonjë ndryshim thelbësor kur bëhet fjalë për perceptimin e Ballkanit Perëndimor nga Uashingtoni, kushdo që të jetë president atje", shpjegon profesori.

I pyetur nëse ndikimi i Rusisë në Ballkan do të shtypet, Gjukanoviq thotë se është në interesin e Shteteve të Bashkuara të shtypnin ndikimin e Rusisë dhe të Kinës.

"Kjo iniciativë, me të cilën po përballemi tani: ardhja e Korporatës Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit DFC dhe procesi i normalizimit ekonomik që filloi më 4 shtator në Uashington, janë përpjekje për t'i vendosur mu këta aktorë të tjerë në prapavijë dhe për të forcuar përsëri ndikimin e SHBA-ve", thotë profesori.

Në pyetjen se si Rusia do të reagojë ndaj një pranie më të madhe dhe më të fortë të SHBA-së në Serbi, Gjukanoviq deklaron se Rusia sigurisht nuk është e interesuar në forcimin e ndikimit dhe pranisë Amerikane në Ballkanin Perëndimor.

"Ne kemi parë që Rusia është përpjekur në disa raste për të parandaluar hyrjen e Malit të Zi dhe Maqedonisë Veriore në NATO, kështu që afria eventuale e Beogradit e Uashingtonit do të jetë diçka që ajo sigurisht nuk do ta mbështesë." "Gjithashtu, është mjaft e qartë se hapat e ardhshëm kur bëhet fjalë për afrimin e Bosnjë-Hercegovinës drejt anëtarësimit në NATO, do të jenë diçka që do të shkaktojë reagime edhe në Moskën zyrtare," tha ai.

Gjukanoviç thotë se nuk mund të pritet një ftohje e ndjeshme e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Moskës.

"Meqë Beogradi ka mbetur i vetmi kanal për politikën e Ballkanit Perëndimor të Federatës Ruse, unë mendoj se Rusia do të përpiqet që kjo ftohjetë mos jetë kaq e njëanshme dhe kaq e fortë dhe e dukshme që në start". Pra, sot, përveç Serbisë dhe entitetit të Republikës Serbe, ajo në të vërtetë nuk ka një kanal të qartë ndikimi në ngjarjet e Ballkanit Perëndimor", tha Gjukanoviq.

I pyetur nëse forcimi i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Uashingtonit do të ndikojë në forcimin e shtetit të së drejtës dhe lirive demokratike në Serbi, Gjukanoviç tha se këto janë parimet në të cilat Shtetet e Bashkuara dhe politika e saj e jashtme këmbëngulin kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me vende të caktuara.

"Sidoqoftë, kjo do të reflektojë në një lloj aspirate të Shteteve të Bashkuara për të bërë përparim në fushën e sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut, luftës kundër korrupsionit.… Këto janë parime që promovojnë Shtetet e Bashkuara për dekada kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor dhe Serbinë." , tha profesor Gjukanoviq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat