Pse lehin kaq fort “zagarët” e Hashimit

Lajme

Pse lehin kaq fort “zagarët” e Hashimit

Më: 29 shtator 2020 Në ora: 10:37
Hashim Thaçi

Ngjarja që ndodhi në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Kosovës ishte një spektakël i shëmtuar, pasi tentoi të njollosë një institucion moral, siç është shoqata që grumbullon ish-luftëtarët e UÇK-së.

Dërgimi i të ashtuquajturave dosje si “thasë mielli” në zyrat e organizatës nga qarqe që dihet mirë se kush janë, shkaktoi një tronditje të madhe, çka tentoi të bëjë pis veteranët.

Pastaj ndodhi ngjarja shumë e rëndë ku kryetari dhe nënkryetari u arrestuan dhe kanë shumë rrezik që të dënohen për pengim të hetimeve nga Gjykata Speciale në Hagë.

Hashim Thaçi, jo vetëm që nuk reagoi por bëri deklaratë vetëm kur ndodhi gjëma.

Ndërkaq, ajo që ka djegur më shumë në opinionin publik të Kosovës, kanë qenë reagimet e kreut të komunës së Skënderajt, Bekim Jashari, pjesëtar i familjes së Adem Jasharit dhe kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti.

Zoti Jashari, nuk përmendi me emër, por e tha në mënyrë të qartë se arrestimet duhet të ishin kryer në Presidencë, parlament e qeveri, ata që kanë përdorur veteranët kanë kryer një turp të madh.

Kurse Albin Kurti, në një deklaratë publike, i bëri një trajtim më në adresë çështjes, duke thënë se fajtor është Hashim Thaçi, që në pranimin e Gjykatës Speciale e deri në përdorimin e OVL me çështjen e dosjeve nëpërmjet strukturave të tij të nëntokës.

Këto dy deklarata kanë ngjitur fort, pasi janë realisht e vërteta për ngjarjen.

Por që mbrëmë e vijon dhe sot, disa zagarë mediatikë të Hashim Thaçit, kanë nisur një breshëri reagimesh e komentesh, duke e sulmuar pa asnjë skrupull dhe argument, kreun e Vetëvendosjes.

Migjen Kelmendi, i kaluar në PDK prej dy vitesh, si agjitrop i Kadri Veselit, e cilësoi Albinin një “Neron” që dashka të djegë Kosovën.

Kurse i importuari nga Tirana, politologu Adri Nurellari, përdor një gjuhë më të drunjtë, ku gjithsesi e akuzon Albin Kurtin për autoritar e diktator.

Kjo logjikë është tejekëput absurditet, pasi Albin Kurti nuk është hiç në pushtet e nuk ka asnjë mundësi që ta tregojë autoritarizmin. Në ato muaj që qeverisi, e ku u rrëzua me një puç pallati, asnjë prej këtyre komentatorëve nuk e analizoi ndonjë vendim, apo akt politik e ligjor të kryeministrit Kurti.

E sot, e gjitha po bëhet pasi RTK tashmë ka nisur të çlirohet nga klanet e PDK-së, si pasojë e drejtimit që Kuvendi i Kosovës e ka për detyrë të mbikqyrë televizionin publik.

E në këtë aspekt, çlirimi i RTK-së sikur ka hapur pak hapësirë mendimi ndryshe. Në këtë hapësirë, pikërisht ditën kur kakofonia e përdorimit të veteranëve edhe pas arrestimeve të tmerrshme të kreut të shoqatës dhe nënkryetarit të saj, kanë rënë në sy qëndrimet e forta të Jasharit dhe Kurtit.

Qëndrime që i ka djegur fort Hashim Thaçit, pasi çdo ditë e më shumë po dalin faktet se ai UÇK-në e përdor vetëm si simbol kur i duhet, pra dashuria e tij është thjesht për plotësim nevojash, ndërkohë që dashuria e vërtetë, tregohet duke dhënë e jo duke marrë.

Në Hagë në vend të Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, duhet të kishin shkruar me vrap Hashimi e Kadria me shokë, për të treguar se ata nuk pyesin për interesat e tyre.

Hashim Thaçi, siç e ka thënë edhe vetë që do të largohet nga politika: atëherë përse nuk e kalon këtë kohë për të mbrojtur të gjithë bashkëluftëtarët e vet, qoftë ligjërisht e qoftë publikisht, duke mos lënduar asnjërin prej tyre që nuk kanë rrogë, nuk kanë pension, nuk kanë mundësi të jetojnë me privilegjet që pushteti e politika i ka dhënë shokëve të Thaçit.

E pikërisht këtë e dijnë shumë mirë si Hysnia e Nasimi që janë në paraburgimin e Hagës por edhe mijëra veteranët e UÇK-së. Të cilët kanë mirëpritur fjalën e idhët por të vërtetë të Bekim Jashari, si dhe qëndrimin politik të Albin Kurtit.

Këto qëndrime kanë bërë dallimin final: ndarja përfundimtare e luftëtarëve të ndershëm të UÇK-së me Hashim Thaçin…/Pamfleti

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat