Listës së veteranëve të luftës i shtohen edhe 42 persona

Lajme

Listës së veteranëve të luftës i shtohen edhe 42 persona

Më: 1 nëntor 2020 Në ora: 20:00
foto ilustrim

Që nga dhjetori i vitit të kaluar, listës së përfituesve të pensionit të veteranit të luftës i janë shtuar edhe 42 persona.

Nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë thënë për Kohën se që nga viti i kaluar vetëm 4 personave u është ndërprerë pensioni me vendime gjyqësore.

“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale “Në dhjetor të vitit 2019 në listën e përfituesve nga skema e veteranëve të luftës kanë qenë 38 mijë e 101 përfitues, kurse aktualisht (tetor 2020) janë 38 mijë 143 përfitues”, thuhet në përgjigjen e MPMS-së.

Numrat e veteranëve po vazhdojnë të rriten, pavarësisht se për këto lista janë hapur një varg procesesh gjyqësore.

Për legalizim të përmbajtjes së rreme dhe falsifikimi të dokumenteve, që kanë të bëjnë me rastet e përfitimit të kundërligjshëm të statusit të veteranit, hetime është duke bërë Prokuroria Themelore e Prishtinës, Gjilanit, Pejës dhe ajo e Ferizajt, ku kanë ngritur edhe aktakuza.

Ndërsa, në Prokurorinë Themelore të Prizrenit edhe pse kanë pranuar më shumë se 170 kallëzime penale, për asnjë rast deri më tash nuk është ngritur aktakuzë.

“Gjatë vitit 2019 nga policia e Kosovës kemi pranuar 171 kallëzime penale kundër 171 personave për shkak të veprës: falsifikimi i dokumenteve nga neni 398 dhe veprës penale legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë nga neni 403 të Kodit Penal të Kosovës, 04/L-082, të cilat janë regjistruar në regjistrin PP në Departamentin e Përgjithshëm. Po ashtu, 2 raste të tjera të pranuara janë të regjistruara në regjistrin PPN/I në Departamentin e Krimeve të Rënda. Të gjitha këto raste, në përjashtim të një rasti për të cilin janë pushuar hetimet, janë në punë. Nga data e pranimit e gjerë më sot, nuk është ngritur asnjë aktakuzë për rastet e tilla”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Për keqpërdorim të pozitës zyrtare nga Komisioni Qeveritar për Verifikimin e Statusit të Veteranit, Gjykata Themelore në Prishtinë është duke i gjykuar 12 persona, por sipas Ehat Miftarajt nga IKD-ja, procesi po zvarritet.

“Nëse marrim për bazë afatet kohore për të cilat është dashur të kryhet ky rast, atëherë jemi shumë vonë. Në anën tjetër, një praktikë e mirë është te Prokuroria dhe Gjykata Themelore në Pejë të cilat në njëfarë mënyre si duket kanë filluar t’i tregojnë sukseset e para në trajtimin e këtyre rasteve në mënyrë shumë efikase dhe duke pasur edhe aktgjykime dënuese në këto raste”, ka thënë Miftari.

Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, nga pagesat e kundërligjshme për veteranët e luftës, buxheti i Kosovës është dëmtuar për rreth 68 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat