Vuçiq e komenton fjalimin e Shaip Kamberit, tenton ta kthejë në avantazh për Serbinë

Lajme

Vuçiq e komenton fjalimin e Shaip Kamberit, tenton ta kthejë në avantazh për Serbinë

Më: 2 nëntor 2020 Në ora: 18:52
Shaip Kamberi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot i është përgjigjur deputetit shqiptar, Shaip Kamberi, për fjalimin e javës së kaluar në parlamentin serb, gjatë të cilit akuzoi drejtuesit e shtetit atje për krimet e viteve ’90-ta dhe për autoritarizëm në politikëbërjen e ditëve të sotme. Në një konferencë për media që e ka mbajtur të hënën, Vuçiq, që kontrollon shumicën e mediave në Serbi, si duket me porosi ka marrë një pyetje rreth kësaj teme nga gazetarët. Shihej që Vuçiq kishte përgatitur enkas një përgjigje.

Ai fillimisht ka provuar ta diskreditojë Kamberin, duke thënë se është me dekada në pushtet në Bujanoc, e më pas ka thënë se është gëzuar që ka arritur sukses politik me një fjalim.

“Sa i përket pyetjes tuaj dhe raportit ndaj zotit Kamberi, unë jam shumë i lumtur që është lajmëruar njeriu që në mënyra të ndryshme është në pushtet ndoshta me decenie. Kjo nuk është totalitarizëm, por ndoshta është një demokraci e çuditshme”, ka thënë shefi i shtetit serb.

Duke folur për Kamberin ai ka goditur edhe kundërshtarët e tij politikë, duke thënë se Kamberi gëzon përkrahje më shumë se ata.

“U gëzova që në mënyrë aktive u inkuadrua në punën e Kuvendit dhe më gëzoi fakti që arriti të krijojë shumë simpati dhe qysh sot ka numër më të madh të simpatizantëve sesa disa që mendojnë se mund ta rrëzojnë pushtetin për një ditë në çfarëdo mënyre, kështu që e uroj z. Kamberin për këtë sukses serioz politik”, ka thënë ai.

Më pas Vuçiq ka provuar ta kthej këtë në avantazh për shtetin serb duke theksuar se fjalimi i Kamberit tregon se në Serbi mund të flitet gjithcka pavarësisht se kjo nuk është e vërtetë pasi Vuçiq kontrollon pothuajse gjithcka në shtetin e tij.. Sipas tij, serbët në Kosovë kur flasin gjëra të tilla arrestohen. Dhe këtë e ka ilustruar me mohimin e masakrës së Recakut që Serbia e konsideron inskenim e jo masakër kundër civilëve shqiptarë sic e cilëson e gjithë bota.

“Do të kisha dashur që për krime ndaj serbëve të mund të diskutohej edhe në parlamente tjera, ju tash më pyetet për Parlamentin e Kosovës . Unë jam i lumtur që kemi serbë trima që luftojnë për popullin e tyre, por ata nuk mund të thonë gjëra që i tha këtu Shaip Kamberi për arsyen se kur ata thonë se në Recak gjithcka ka qenë e inskenuar, atëherë dënohen me dënime me burg, sikur rasti i Ivan Todosijevic, që është shpallur fajtor vetëm pse e ka thënë këtë që e kam thënë edhe unë” ka thënë Presidenti serb.

Në fund Vuçiq ka thënë se e inkurajon z.Kamberi “të flas dhe të tregojmë se në Serbi mund të thuhet mendimi ndryshe”.

Çfarë tha deputeti Shaip Kamberi javën e kaluar në Parlamentin serb?

Gjatë fjalimit të tij në seancën e Kuvendit të Serbisë, në të cilën u zgjodh qeveria e re serbe, Kamberi vlerësoi se midis 250 deputetëve, opozita përfaqësohet nga vetëm gjashtë deputetë të partive të pakicave dhe deklaroi se grupi i tij parlamentar, i cili përbëhet nga gjashtë deputetë, nuk do të mbështesë qeverinë e re serbe. Si arsye për një vendim të tillë, Kamberi e ka theksuar atë që qeveria e kaluar me në krye Ana Bërnabiqin, nuk ka bërë asgjë për integrimin e shqiptarëve që jetojnë në jug të Serbisë.

Ai ka theksuar që më parë “njerëzit kanë ikur për shkak të luftërave, ndërkaq sot ata po ikin për shkak të autoritarizmit”, dhe se “Serbia ka sunduesin e saj, prej të cilin varet fati i secilit prej nesh, duke përfshirë Qeverinë”, duke aluduar në kryetarin e Partisë Përparimtare Serbe (SNS) dhe presidentin e Serbisë, Alleksandar Vuçiq.

Kamberi i bëri thirrje kryeministres, Bërnabiq që së bashku me të ta vizitojë Batajnicën, Peruqacin, Petrovo Selon dhe Rudnicën, ku dyshohet se shqiptarët nga Kosova, të vrarë gjatë luftës në fund të viteve 1990, ishin varrosur në varreza masive, si dhe duke theksuar se këto ishin kryer nga “strukturat e organizuara të shtetit”, të cilin ajo tani e përfaqëson.

“Këto krime lufte ishin urdhëruar dhe kryer nga zyrtarë serbë. Nuk ka prosperitet pa pajtim, nuk ka pajtim pa u ballafaquar me të kaluarën”, kishte thënë Kamberi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat