Sherifi: Duhet të shpëtohet kombi dhe shteti i Kosovës nga këto akuza monstruoze

Lajme

Sherifi: Duhet të shpëtohet kombi dhe shteti i Kosovës nga këto akuza monstruoze

Më: 9 nëntor 2020 Në ora: 22:55
Bilall Sherifi

Sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, duke komentuar aktakuzat e ngritura ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thotë se politika dhe shoqëria shqiptare duhet të jenë të bashkuar “për të shpëtuar të ardhmen e kombit dhe shtetit të Kosovës”.

Duke folur për aktakuzat “si tejet të rënda”, Sherifi tha se ato implikojnë edhe Shqipërinë pasi një pjesë e akuzave që rrjedhin nga raporti i Dick Marty-it për “trafik organesh” kanë ndodhur në territorin shqiptar.

“Të jemi të qartë, në këto akuza monstruoze për trafiqe organesh janë përfshirë jo vetëm UÇK-ja por edhe shteti shqiptar, sepse sipas akuzës të gjitha këto krime janë kryer në territorin shqiptar. Tashmë kemi për detyrë të shpëtojmë të ardhmen e kombit [shqiptar] dhe shtetit të Kosovës dhe kjo për mua nuk është e pamundur sepse e drejta dhe e vërteta janë në anën tonë”, u shpreh Sherifi për Euronews Albania.

Sherifi pretendon se “ashtu siç ka pësuar ‘fiasko’ aktakuza themelore e ngritur nga Marty për trafik organesh, ashtu do të përfundojnë edhe këto”.

“Siç tha avokati i zotit Thaçi, ato [aktakuza] janë përmbledhje incidentesh gjatë luftës dhe assesi projekt apo plan të UÇK-së siç pretendon aktakuza, ndaj jam i bindur se e vërteta është krejt ndryshe”, këmbënguli Sherifi duke kërkuar nga parlamentarët shqiptarë që të ketë qëndrim konkret nga Këshilli i Evropës.

Sherifi kërkoi nga shteti shqiptar dhe ai nga Kosova lobim të gjithanshëm dhe hartim të një plani të përbashkët për të hedhur poshtë planin aktual që po e sjell Kosovën në një krizë të vazhdueshme ekzistenciale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat