Serbia po armatoset deri në dhëmbë e Vuçiç bën deklarata lufte, Rama-Basha merren me kasetën e...

Lajme

Serbia po armatoset deri në dhëmbë e Vuçiç bën deklarata lufte, Rama-Basha merren me kasetën e...

Më: 23 nëntor 2020 Në ora: 15:41
Armët serbe

Që kur Aleksandër Vuçiç është bërë President, ka nisur një tension diplomatik mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk dihet se nga e gjen burimin e guximit të tepruar, por Vuçiç sa herë që del në media, godet shtetin e Kosovës. Së fundmi, që përkon edhe me nisjen e proceseve gjyqësore të ish-lidërve të UÇK-së në Hagë për krime lufte, Vuçiç i ka shtuar dozat e deklaratave provokuese. Vetëm disa ditë më parë ai e krahasoi konfliktin e Serbisë me Kosovën të ngjashëm me atë të Armenisë dhe Azerbajxhanit për çështjen Nagorno-Karabak.

Këtë mesazh e përforcoi edhe dje mbi arkëmortin e Patriarkut Irenej, duke thënë se amaneti i tij ishte që të mos njihej pavarësia e Kosovës. Madje Vuçiç që dje bëri rolin e zëdhënësit të të vdekurit, duke thënë që Irenej ka lobuar gjatë gjithë kohës për të arritur qëllimin e tij dhe se paska kuptuar gabimet e së shkuarës.

“Irenej e kuptoi realitetin e gabimeve tona historike dhe besoi në forcën në rritje të shtetit serb dhe në fuqinë e tij për të bindur Perëndimin se Kosova dhe Metohija do jetë mirë vetëm me një zgjidhje të drejtë”, vazhdoi lojën e fjalëve provokuese Presidenti, i cili siç duket është i penduar që Serbia ndërpreu luftën në Kosovë. Këto deklarata u veshën si amanet i Irenejt, që Vuçiç të mos marrë shuplaka nga faktori ndërkombëtar.

Presidenti është i pa shqetësuar në lojën tinëzare të Serbisë dhe qeveria shqiptare vazhdon të bëjë gabime në politikën e jashtme, sa i takon trajtimit të çështjes së Kosovës. Kryeministri Edi Rama me zagarët e tij sulmon Lulzim Bashën për fshehjen e kasetës së masakrave të Krushës, që kurrsesi ato filmime nuk do sillnin ndryshimin e historisë së shqiptarëve të Kosovës, të masakruar në vitet ’98-99. Ka plot dëshmi, dosje, pamje filmike, që dokumentojnë krimet serbe mbi popullatën civile.

Palët duhet të bashkohen, e të dalin në një qëndrim të unifikuar për të dobësuar pozicionin e Aleksandër Vuçiç, i cili po prodhon një politikë të rrezikshme për rajonin.

Por Serbia nuk është ndalur vetëm me deklarata provokues. Gjithë kohës ka punuar nën rrogoz, me plane të errëta dhe të frikshme për të mos hequr dorë prej Kosovës. Është një nga shtetet që po armatoset më shumë në rajon dhe se ky armatim normalisht që nuk duhet për të vrarë lepuj. Vetëm pak ditë më parë, Beogradi zyrtar njoftoi se 30 tanke të tipit Tanke T-72, do të arrijnë në Serbi, që janë si pjesë e marrëveshjes që presidenti serb, Aleksandër Vuçiç arriti në Soçi me homologun e tij rus, Vladimir Putin.

Ministri serb i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviç tha se 30 tanket moderne do t’i forcojnë ndjeshëm aftësitë e tyre ushtarake. Donacioni përfshin edhe gjashtë aeroplanë luftarakë MiG-29 dhe 30 automjete të blinduara zbulimi BRDM-2.

Përpjekjet kanë vazhduar me zhdukjen e adresave shqiptare në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc – apo siç njihen ndryshe edhe si Lugina e Preshevës. Në Serbi nuk ka numër të saktë të banorëve shqiptarë, pasi ata patën bojkotuar regjistrimin e popullsisë të bërë më 2011 dhe këtë mungesë informacioni, serbët e kanë shfrytëzuar në anë të tyre, duke iu fshirë adresat. E gjitha bëhet që në një të ardhme të afërt, të thuhet se në Luginën e Preshevës nuk ka shqiptarë.

Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri në detyrë për Evropë dhe Punë të Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, dolën në një deklaratë të përbashkët për ta dënuar këtë këtë përpjekje të rrezikshme. Por zërat e tyre janë të dobët. Të gjithë aktorët politik, ku jetojnë shqiptarë duhet të luftojnë fort ndaj lotimit shfarosës së Serbisë, në të kundërt Kosova mund të bëhet sërish arenë lufte në Ballkan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat