Para Serbisë, presione edhe më të ashpra pas letrës së Biden

Lajme

Para Serbisë, presione edhe më të ashpra pas letrës së Biden

Nga: F.B Më: 9 shkurt 2021 Në ora: 10:04
Nikola Selakoviç, Joe Biden

Porosia e njeriut të parë të ShBA-ve është një sinjal se pasojnë presione të mëdha dhe tundime për vendin tonë në lidhje me Kosovën, thotë ministri i jashtëm Nikola Selakoviç, shkruan “Kurir”, transmeton “Bota Sot”.

Urimi i Biden dërguar Vuçiqit, ku porositet se ShBA mbeten të palëkundura në lidhje me pranimin e Kosovës, është provokues dhe i pashembullt, por hap “Kutinë e Pandorës”, andaj mund të priten shantazhe dhe presione të reja në lidhje me Kosovën, konsiderojnë ekspertët.

Lufta e mençur

Një porosi e këtillë nuk është befasi për ministrin Selakoviç, që shprehet se kjo është “një nga sinjalet” se do të pasojnë tundime edhe presione për Serbinë.

“Bisedimet me administratën e re nuk do të jenë të thjeshta dhe të lehta. Ne kemi qëndrimin tonë, Amerika ka qëndrimin e vet, por kjo nuk është arsye që ne të heqim dorë nga pozita jonë, por do të luftojmë me përkushtim edhe mençuri”, tha ai për TV Hepi.

"Serbia nuk duhet të çmendet dhe të mendojë se fuqitë e mëdha do të ndryshojnë mendimin lidhur me çështjen e Kosovës, sepse disa prej tyre ishin kumbarë të kësaj dhe shtetin e ashtuquajtur të Kosovës e konsiderojnë si të vetin dhe e mbrojnë kudo. Por, fuqitë e mëdha nuk janë sikur para 14 vjetëve, sikurse as serbët as Serbia nuk janë të njëjtë", tha Selakoviç.

Lidhur me situatën, Drecun ka thënë se është e pashembullt që të kërkohet shembja e vendit të vet dhe heqja dorë nga një pjesë territori dhe është kundër me atë që janë dëshirat e mira.

“Urimi tregon atë në çka do të insistohet në të ardhmen për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, kur Biden insiston në njohje të ndërsjellë, ai inkurajon shqiptarët të insistojnë në hapa të njëanshëm”, ka thënë Drecun.

Insistimi në njohje

Diplomati i karrierës Zoran Milivojeviç, vlerëson se kjo është dëshmi e asaj që u paralajmërua në fushatën parazgjedhore rreth Kosovës dhe Bosnjës.

“Kjo njëkohësisht është paralajmërim i vazhdimësisë politike të demokratëve. Është e pashmangshme insistimi në pranimin e Kosovës dhe porosi e qartë dhe mbështetje strukturave të BE-së që angazhohen për njohje”, tha Milivojeviç.

Jelena Miliç nga Qendra për studime euro-atlantike, thotë se porosia e Biden në mënyrë eksplicite shpreh pritjet e administratës së re amerikane.

“Kjo është përpjekje logjike e demokratëve, para së gjithave e administratës Biden, që ka të bëjë me një lloj presioni ndaj Serbisë”, tha ajo për “Tanjug”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat