Nazarko: Pse afrimi mes Ramës e Kurtit është i vështirë

Lajme

Nazarko: Pse afrimi mes Ramës e Kurtit është i vështirë

Më: 17 shkurt 2021 Në ora: 20:42
Edi Rama, Albin Kurti

Gjatë fjalës së tij në rubrikën “Opinion” në “News24”, analisti Mentor Nazarko komentoi zgjedhjet e fundit në Kosovë dhe vendosjen e marrëdhënieve mes Albin Kurtit, që parashikohet të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës dhe kryeministrit Edi Rama.

Nazarko tha se marrëdhëniet midis dy liderëve ka qenë e mirë në fillim, por u ftoh pas incidenteve të krijuara, ku përmendi hedhjen vezës nga studentja kosovare në ndeshjen Shqipëri-Serbi.

Analisti po ashtu tha se dega e Vetëvendosjes e krijuar në Shqipëri nuk është pritur mirë nga kryeministri Rama. Sipas Nazarkos, me këto zhvillime Albin Kurti kërkon të tregojë se është udhëheqësi i shqiptarëve në të gjithë rajonin.

“Të dy palët, Kurti dhe Rama, duhet të rishikojnë diçka në sjelljet e tyre. Rama ka gabuar që në një moment të caktuar vendosi marrëdhënie të mira me Thaçin dhe pak më të mira me Kurtin. Ka një prehistori të tyre që është pozitive. Rama që është bujar në vlerësimin e liderëve shqiptar, ka qenë i tillë dhe me Kurtin, e ka thënë dhe publikisht.

Por këto marrëdhëniet janë prishur nga incidentet e krijuara nga grupe studentore këtu që kanë dashur të sfidojnë Ramën. Po të kujtojmë hedhjen e vezës në ndeshjen Serbi-Shqipëri. Gjithashtu kemi një degë të Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri. Kurti bën të paditurin kur thotë që nuk e di, ata kanë vendime autonome. Kjo është një gjest sfide ndaj kryeministrit Rama. Këtë nuk e ka bërë Rama në Kosovë, as Berisha.

E vërteta është që Partia Socialiste si logo nuk ka një simpati në Kosovë. Por PD-ja ama ka pasur popullaritet të madh, nuk kanë zgjedhur të zgjerojnë aktivitetin e tyre në Kosovë, me një degë të partisë së tyre. Kjo iniciativë e Kurtit bëhet për të rritur famën e tij, për të treguar se është një udhëheqës i shqiptarëve në të gjithë rajonin”, tha Nazarko.

I pyetur se a do të ketë një përmirësim të marrëdhënieve mes dy liderëve, Nazarko tha:

“Unë besoj që për Kurtin është e vështirë ta nisë këtë detyrë të re duke ftohur marrëdhënien me Shqipërinë. Ai ka thënë që e ka të detyrueshme për të shkuar në Shqipëri. Edhe Rama është me një tension të madh në lidhje me këtë çështje. Në deklaratën e tij vlerësohej fitorja e Vetëvendosjes por jo për Kurtin. Do të jetë një marrëdhënie e vështirë në fillim, por dy liderët do të gjejnë një format për të ruajtur marrëdhëniet mes dy vendeve”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat