Letra që Daut Haradinaj nga TMK ia kishte dërguar familjes Rexha pas vrasjes së Komandant Drinit

Lajme

Letra që Daut Haradinaj nga TMK ia kishte dërguar familjes Rexha pas vrasjes së Komandant Drinit

Më: 21 shkurt 2021 Në ora: 15:54
Daut Haradinaj

“Dënojmë rreptësishtë vrasjen e komandant Drinit”, thuhet në letrën që Daut Haradinaj ia kishte dërguar familjes së Ekrem Rexhës, kur ky i fundit ishte vrarë në një atentat që – pas publikimit të Dosjeve të UNMIK-ut nga AP – mësohet se vinte nga armët e njëjta me të cilat më vonë u ekzekutua edhe ish-zyrtari i lartë i LDK-së, Xhemail Mustafa.

Media ka siguruar një telegram ngushëllimi që me nëntë maj të vitit 2000, vetëm një ditë pas vrasjes së Rexhës, Haradinaj, atëkohë Komandant i Zonës së Tretë Mbrojtëse, në cilësinë e Gjeneral Majorit, ia kishte dërguar familjes së të vrarit.

Në letër thuhet se “me keqardhje të thellë e morëm lajmin për vrasjen tragjike të ish luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Ekrem Rexhës, ish komandat i Zonës Operative të Pashtrikut dhe tani drejtor i Drejtorisë së Ambientit  dhe Sigurisë në Bordin Administrativ në Prizren”.

Rexha ishte vrarë me armë automatike pranë shtëpisë së tij në lagjen “Bazhdarhane” në orët e hershme të tetë majit kur kishte dalë nga shtëpia për ta ndezur veturën.

Dosjet e publikuara, e përpiluar nga UNMIK-u pas vrasjeve të Rexhës e Mustafës, zbardhë komunikimet brenda organeve të hetuesisë ku konstatohej se të dy këta ishin ekzekutuar nga armët e njëjta.

“Njësia Rajonale e Hetimeve në Prizren në bashkëpunim me Taskë-forcën Speciale, po ashtu kanë konstatuar se armët e përdorura në vrasjen e Xhemail Mustafës janë përdorur edhe në vrasjen e Ekrem Rexhës, të njohur me nofkën ‘Drini’ në Prizren”, shpalosë kjo dosje e UNMIK-ut.

Vrasja e Rexhës atëbotë, siç tregon edhe letra nga arkiva e TMK-së, dënohej ashpër.

Daut Haradinaj, në letrën shkruar si telegram ngushëllimi thoshte se “dënojmë rreptësishtë vrasjen e komandant Drinit dhe kërkojmë që sa më parë organet  kompetente të Kosovës të zbulojnë aktorët e krimit dhe t’u jepet dënimi i merituar”.

Ai shprehte “ngushëllime tonat më të thella për humbjen tragjike të më të dashurit tuaj”.

Ky adresim i Haradinajt përfundon me “nderime të përmotshme”, shkruar me shkrim dore dhe me nënshkrim të Haradinajt e të vulosur me vulën e TMK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat