Mbyllen objektet e hotelierisë në Tuz

Lajme

Mbyllen objektet e hotelierisë në Tuz

Më: 26 shkurt 2021 Në ora: 17:24
Pamje nga protestat e 25 shkurtit në Tuz.

Objektet e hotelierisë në Tuz të Malit të Zi janë mbyllur më 26 shkurt dhe kryetari i komunës, Nik Gjeloshaj u ka bërë thirrje qytetarëve dhe furnizuesve të ushqimit, që të respektojnë masat epidemiologjike derisa të miratohen të rejat, të hënën, më 1 mars.

Qytetarët e Tuzit po shpresojnë që me masat e reja do të mundësohet hapja e lokaleve hoteliere.

Ky është epilogu i bisedimeve ndërmjet kryetarit të Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj dhe Qeverisë së Malit të Zi, me të cilën ka përfunduar bllokimi disa orësh i Tuzit, të enjten, më 25 shkurt.

Të revoltuar me masat e reja kufizuese epidemiologjike nga ana e autoriteteve kompetente shëndetësore, të cilat kishin paraparë mbylljen e lokaleve, banorët vendas i kundërshtuan ato, duke e bllokuar qendrën e Tuzit.

Drejtoria e Policisë ka dorëzuar kallëzime penale kundër kryetarit të komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, kundër kryeshefit të policisë komunale në këtë qytet dhe kundër policëve, për veprën penale të thirrjes për rezistencë.

Ndërkaq, për shkak të dyshimeve se kanë kryer vepër penale –mosrespektim i rregullave shëndetësore për luftimin e sëmundjeve infektive në Tuz, policia ka arrestuar tre persona, të cilët, pas intervistimit, janë liruar, kanë theksuar zyrtarë të Drejtorisë së Policisë për Radion Evropa e Lirë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat