Vuçiq: Në Prishtinë nuk po u pëlqen marrëveshja e Washingtonit

Lajme

Vuçiq: Në Prishtinë nuk po u pëlqen marrëveshja e Washingtonit

Më: 27 shkurt 2021 Në ora: 09:53
Aleksandër Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vazhduar të flasë për dialogun dhe, siç thotë ai, qëndrimin e Prishtinës dhe paralajmërimet se Brukseli dhe Washingtoni së bashku po përgatisin presione të reja ndaj Serbisë në lidhje me njohjen e Kosovës.

“Do të shohim se çfarë do të thonë ata [Kosova] në lidhje me marrëveshjen e Washingtonit. E shoh që nuk po u pëlqen. E vetmja gjë që ata do të donin është që Serbia të njohë një Kosovën të pavarur. Nëse ata mendojnë se kjo është realisht e mundur – lum si ata. Ne nuk mendojmë ashtu. Disa u habitën dhe më kritikuan kur unë thashë: ‘Ju bëni punën tuaj, dhe ne bëjmë tonën’. Unë nuk kam dalë me deklarata ‘të forta’, si autoritetet e mëparshme [serbe]… Më mirë i lëmë të tregojnë nervozizëm dhe ne do të vazhdojmë të punojmë në forcimin e ekonomisë sonë”, ka deklaruar Vuçiq të premten në një takim me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, të mbajtur në Kurshumli.

Në këtë takim, siç shkruan “Novsti”, presidenti Vuçiqi njoftoi se të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë do të ndihmohen financiarisht nga shteti serb. Ai tha se të papunët do të marrin nga 200 euro, kurse fëmijët nga 100 euro.

Kreu i shtetit serb informoi serbët nga Kosova për situatën politike para mbërritjes së përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak.

Përpara vizitës së Lajçakut në Kosovë dhe Serbi gjithnjë e më shumë po flitet për angazhim më të fortë të SHBA-së dhe BE-së për ta bindur Serbinë që ta njohë pavarësinë e Kosovës. Duke folur për këtë, Vuçiq ka theksuar rëndësinë e unitetit të serbëve në Kosovë dhe vendosmërinë e tyre për të mos hequr dorë që të jenë të lidhur me Beogradin.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat