Carla del Ponte nuk komenton padinë nga Kosova kundër saj

Lajme

Carla del Ponte nuk komenton padinë nga Kosova kundër saj

Më: 11 mars 2021 Në ora: 16:19
Carla del Ponte

Avokati i njohur, Tomë Gashi ka thënë se është duke përgatitur kallëzim penal si dhe padi civile kundër senatorit zviceran Dick Marty, ish- kryeprokurores Carla Del Ponte si dhe Jose Pablo Baraybar- kryesues i zyrës për persona të zhdukur dhe mjekësi ligjore në kuadër të UNMIKU-t.

Sipas z.Gashi “Kallëzim penal dhe padi civile do të ushtrohet edhe kundër ish Kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, znj.Carla Del Ponte, sepse në librin e saj përdori të dhëna të rrejshme për krimet e pretenduara të UÇK-së e që ishte shfrytëzuar nga Dick Marty për raportin e tij famëkeq”.

Padia e re kundër Martyt dhe Del Pontes, a do ta ketë fatin e “padisë” së Hashim Thaçit kundër Serbisë për gjenocid?!

Për përgatitjen e padisë së avokatit të njohur Tomë Gashi kanë shkruar edhe mediat zvicerane me tituj si ky: Paraqitja e një ankesë kundër Dick Marty dhe Carla Del Ponte në Kosovë për informacion të rremë.

“Një ankesë penale është depozituar kundër ish raportuesit të Këshillit të Evropës Dick Marty mbi pretendimin e trafikimit të organeve gjatë luftës në Kosovë. Ish-Prokurorja e Përgjithshme e ICTY Carla Del Ponte është gjithashtu e implikuar”. Ngjashëm ka folur edhe RTV zviceran RTS: “Ish raportuesi i Këshillit të Evropës Dick Marty akuzohet se ka “shpikur” akuza për trafikim të organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë. Një avokat kosovar ka bërë një ankesë kundër tij dhe kundër ish-prokurores së përgjithshme të ICTY Carla Del Ponte.”

E kontaktuar nga gazeta zvicerane ne shqip Le Canton27.ch lidhur me këto deklarata dhe shkrime ne mediat në Kosovë për “padi” ku përflitet edhe emri i ish-kyreprokurores së Tribunalit Penal Ndërkombëtar ne Hagë znj. Carla del Ponte, nuk ka dashur të komentojë. Madje sipas prokurores zvicerane me renome ndërkombëtare, këto gjera i kemi dëgjuar që 20 vite nga Prishtina.

Në një intervistë për Le Canton27.ch, ish-kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës znj.Carla del Ponte ishte treguar më e “butë” dhe më e matur në fjalorin e saj kur flet për raportin e Dick Marty dhe për dyshimet e saja të shprehura në librin e saj “Gjuetia….” i cili bëri jehonë pas botimit të saj.

Gazetari: Ju ishit kryeprokurore e TPI-së për disa vite me radhë, komuniteti ndërkombëtar ka bashkëpunuar vazhdimisht me Hashim Thaçin, emri i të cilit përmendet në një raport të Dick Marty, raport ky i cili nga liderët dhe shqiptarët është cilësuar si spekulativ dhe i njëanshëm?

Carla del Ponte: Jo, jo.. unë nuk kam përmendur në librin tim Hashim Thaçin dhe nuk e implikoj atë në trafik organesh. Nëse ka përmendur dikush, emrin e Hashim Thaçit, ai është Dick Marty. Për mua zoti Thaçi s’ka të bëjë asgjë me ketë aferë. Ai mund të jetë i involvuar në afera tjera, te cilat ai vet mund t’i dijë.

Kurse rreth ‘Shtëpisë së Verdhë’, në intervistën e fundit Del Ponte ka thënë se «nuk duhet të merremi me supozime. Ministri serb Jeremiq duke implikuar Tiranën mund të ja ketë futur kot. Por mos harroni se ekziston kjo ‘Shtëpi e Verdhë’, ne kemi qenë aty dhe e dimë se çfarë ka ndodhur aty, ne kemi bërë hetime dhe se kjo aferë s’ka të bëjë asgjë me Shqipërinë apo me Tiranën...përkundrazi Tirana ka ofruar bashkëpunim në këtë drejtim. Pra për t’i hedhur poshtë gjitha këto se janë apo s’janë spekulime e bëjmë një anketë, kush dhe cili ka gishta në këtë aferë të trafikut të organeve në Kosovë dhe pikë. Prandaj edhe njerëzit mund të akuzojnë kë të duan, por s’është ashtu. Prandaj edhe nevojitet një hetuesi në rajon”.

Që 20 vite rrena nga Prishtina do ta padisim Serbinë për gjonocid, do ta padisim Dicka Mrtyn, do ta padisim Carla del Ponten

Sikur ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi edhe liderët tjerë në Kosovë sidomos në prag të zgjedhjeve kanë përsëritur refrenin se “do të bëjmë padi kundër Serbisë për gjenocidin e bërë në Kosovë”. Jo vetëm Serbinë, premtime u dëgjuan edhe për paditë kundër senatorit zviceran Dick Marty, por edhe kundër ish-kyreprokurores së Tribunalit Penal Ndërkombëtar në Hagë znj. Carla del Ponte.

Mirëpo, deri më tani, përkundër që kanë kaluar 2o vjet që nga zotimi i parë i Thaçit, pastaj i te tjereve nuk është ndërmarrë asnjë hap për të paditur Serbinë apo prkuroret nderkombëtar nga Zvicra Martyn dhe Del Ponte.

Meqë për këto padi janë përmendur shumë herë nga ish-presidenti Thaçi, qeveritarët dhe liderët e Kosovës në 20 vitet e fundit, të shohim sa është serioze kërkesa e avokatit për padinë ndaj Dick Martyt dhe Carla del Pontes! Padia e re kundër Dick Martyt dhe Carla Del Pontes, a do ta ketë fatin e “padisë” së Hashim Thaçit kundër Serbisë për gjenocid?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat