Vuçiqit s’ia lë ‘shenjë’ presioni ndërkombëtar, ja çka po paralajmëron për Kosovën

Lajme

Vuçiqit s’ia lë ‘shenjë’ presioni ndërkombëtar, ja çka po paralajmëron për Kosovën

Më: 26 mars 2021 Në ora: 18:04
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka deklaruar të premten se do të vazhdojë të punojë drejt "delegjitimimit të pavarësisë së Kosovës".

Vuçiq ka bërë këto deklarata teksa ka komentuar raportin e Parlamentit Evropian (PE) mbi përparimin e Serbisë drejt pranimit në Bashkimin Evropian, të miratuar një ditë më parë.

Presidenti serb e ka konsideruar raportin si "gënjeshtra të zhveshura", duke shtuar se deputetët e bllokut evropian kanë "humbur në kohë dhe hapësirë".

"Ata duket se kanë lexuar një raport nga 2011 dhe jo nga viti 2021," u ka thënë presidenti serb gazetarëve, gjatë një vizite në rrethinën e qytetit Shabac.

Në këtë raport, anëtarët e Parlamentit Evropian kanë paralajmëruar se normalizimi i marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën, dhe respektimi i vërtetë i të drejtave themelore në këtë vend, është element thelbësor për përcaktimin e ritmit të negociatave të pranimit në Bashkimin Evropian.

Lidhur me pjesën e raportit në të cilën PE ka shprehur shqetësim për "fushatën për të delegjitimuar pavarësinë e Kosovës", Vuçiq tha se ai është krenar për këtë dhe se do të vazhdojë të punojë për delegjitimimin e pavarësisë së Kosovës "për inat të Parlamentit Evropian".

Duke komentuar pjesët e raportit të PE, i cili përmend "mungesën e pajisjeve mjekësore" për luftën kundër pandemisë së koronavirusit dhe ekspertizën e pamjaftueshme të mjekëve në Serbi, Vuçiq tha se deputetët evropianë "kanë thënë gjithçka vetëm për veten e tyre" kur kanë miratuar atë dokument .

"Ne testojmë më shumë sesa 80 për qind e vendeve të BE-së dhe ata na dënojnë", ka deklaruar ai.

Në raport janë shprehur shqetësime edhe në lidhje me funksionimin e Parlamentit të ri të Serbisë, i cili nuk ka opozitë parlamentare.

Deputetët evropianë kanë përsëritur rëndësinë e përafrimit të Serbisë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së, duke pasur parasysh që shkalla e pajtueshmërisë së Serbisë aktualisht është më e ulëta në rajon.

Serbisë i janë kërkuar rezultate "bindëse", duke përfshirë hetime efektive në fusha të rëndësishme si, gjyqësori, liria e shprehjes, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Mes tjerash është përmendur edhe se liria e medias po përkeqësohet dhe se përdorimi i gjuhës ofenduese, frikësimi dhe madje gjuha e urrejtjes po rritet ndaj anëtarëve të opozitës parlamentare, intelektualëve të pavarur, organizatave joqeveritare, gazetarëve, individëve me ndikim dhe anëtarëve të partive në pushtet.

Në mesin e çështjeve tjera, deputetët e PE-së kanë mirëpritur përparimin që Serbia ka bërë në zhvillimin e një ekonomie funksionale të tregut dhe kanë inkurajuar Qeverinë serbe të ndjekë reformat strukturore në këtë fushë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat