​“Bëhu Zëri im”, platforma që synon fuqizimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale në nivel ndërkombëtar

Lajme

​“Bëhu Zëri im”, platforma që synon fuqizimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale në nivel ndërkombëtar

Më: 29 prill 2021 Në ora: 12:59
Pamje nga takimi

Dokumentimi i rasteve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, përfaqësimi i interesave të të mbijetuarve të dhunës seksuale dhe fuqizimi i tyre në nivel ndërkombëtar janë caqet që synon të arrijë platforma “Bëhu Zëri im”, e cila u lansua të enjten në Prishtinë.

Kjo platformë është themeluar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Qendra për Promovimin e Drejtave të Grave, Medica Gjakova dhe Medica Kosova, koalicion ky që ka për qëllim rritjen dhe forcimin e bashkëpunimit mes organizatave në avancimin e kauzës së përbashkët, realizimin e të drejtave dhe fuqizimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti, tha se përmes kësaj platforme synojnë të jenë zë i fuqishëm i të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Përmes saj, Rushiti tha se do të ngrisin këtë çështje në nivel ndërkombëtar, e që synojnë që kauza të cilën e ka kjo platformë të jetë zë i fuqishëm edhe në dialogun me Serbinë.

Rushiti: “Bëhu zëri im” synon të fuqizojë zërin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në nivel ndërkombëtar

“Kjo platformë përtej që ka për qëllim edhe më tej me e fuqizua kauzën e të mbijetuarve të dhunës seksuale ka për qëllim që këtë kauzë ta ngritë edhe në nivel ndërkombëtar, për faktin se krimet e dhunimit janë shumë herë krime të heshtura, krime që shumëherë janë jashtë agjendave rajonale dhe botërore. Fatkeqësisht, edhe iniciativat rajonale për ballafaqimin me të kaluarën, dokumentimin e krimeve të dhunës seksuale e ka lënë anash, për faktin se ky krim nuk është lehtë të dokumentohet. Ne përmes kësaj platforme synojmë të fuqizojmë edhe më tej zërin e të mbijetuarave të dhunës seksuale dhe të lidhemi ngushtë me dokumentimin e këtyre krimeve... 6:10 E pse jo, edhe për të qenë zë i fuqishëm edhe në përgatitjen e të gjithë hapave të nevojshëm në kuadër të dialogut me Serbinë, që kjo çështje të mos mbetet e heshtur”, tha ajo.

Se platforma e lansuar sot do të jetë një zë i fuqishëm në adresimin e nevojave të të mbijetuarve të dhunës seksuale në Kosovë, e tha edhe Edward Lister nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar.

Ai theksoi se janë të përkushtuar që të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë të arrijnë drejtësinë dhe kryerësit e këtyre veprave të bëhen përgjegjës.

Lister: Mbretëria e Bashkuar është që të gjithë të mbijetuarit të arrijnë drejtësinë dhe kryerësit e veprës të bëhen përgjegjës

“Në Kosovë e dini si janë kushtet. Mbështetja e organizatave siç është juaja, duke shfrytëzuar rrugët ligjore në adresimin e stigmës, ka pasur sukses... Platforma e lansuar sot do të jap kontribut të rëndësishëm që të mbështetet të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe do të avokojë në adresimin e nevojave në Kosovë dhe përmes mekanizmave tjerë ndërkombëtar që janë këtu... Mbretëria e Bashkuar është që të gjithë të mbijetuarit të arrijnë drejtësinë dhe kryerësit e veprës të bëhen përgjegjës”, tha ai.

Mirlinda Sada, drejtoreshe e Medica Gjakova, tha se është dashur bukur kohë që të mbijetuarit e dhunës seksuale të flasin.

Si organizata joqeveritare, ajo bëri të ditur se kanë filluar të ofrojnë ndihmë edhe për familjarët e të mbijetuarve të dhunës seksuale, pasi traumat janë bartur edhe tek ta dhe në disa gjenerata.

Sada: Përkrahja që prisnin gratë nuk u gjet as tek familja, as tek shoqëria

“Përkrahja që prisnin gratë nuk u gjet as tek familja, as tek shoqëria. Ato nuk guxonin të ankoheshin, ato nuk guxonin të tregonin atë që iu ka ndodhur sepse të tjerët diktonin jetën e tyre... Për fat të mirë shumë gra dhe burra mbijetuan, vet mbijetesa e tyre tregon forcën e tyre. Në fillim ishin pak dhe ishin vetëm, mirëpo pas disa viteve me shumë frikë, ato pranuan atë që ju ka ndodhur. Në fillim si individ, e pastaj ngjarjen traumatike e ndan me shoqet e tyre dhe kuptuan se nuk ishin vetëm... Ishin këto organizata joqeveritare që përkrahën dhe vazhdojnë të përkrahin të mbijetuarit e dhunës seksuale”, u shpreh ajo.

Drejtoresha e Medica Kosova, Veprore Shehu, kujtoi fillimet e para të punës në organizata, për çka tha se për shkak të ndjeshmërisë së rasteve dhe traumave të shumëfishta që viktimat kanë pasur, ka qenë shumë e vështirë paraqitja edhe e ofertës për ta.

Kurse Kadire Tahiri, drejtoreshë e Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas, kritikoi institucionet shtetërore, duke thënë se këto të fundit deri më sot kanë njohur vetëm dhimbjen e vuajtjes, asgjë më shumë.

E pranishme në lansimin e platformës “Bëhu Zëri im” ishte edhe deputetja Vasfije Krasniqi, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, e cila vlerësoi punën e organizatave që merren me këtë çështje, teksa apeloi për bashkëpunim më të madh për thyerjen e stigmës.

Krasniqi: Duhet të punohet më shumë së bashku për të thyer stigmën

“Unë e di se shumë prej viktimave nuk kanë derë tjetër veçse të shkojnë tek shoqatat dhe të rrëfejnë historinë e vet. Duhet të punohet më shumë së bashku për të thyer stigmën. Unë e di se është vështirë për ta thyer stigmën siç është në Kosovë, siç është dhuna seksuale duke e ditur shoqërinë që e kemi. Ne duhet me punua shumë familjet e tyre, sepse familjet janë ato që i mbajnë ato të mbyllura dhe të heshtura”, tha ajo.

Përgjatë dekadave, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Qendra për Promovimin e Drejtave të Grave, Medica Gjakova dhe Medica Kosova kanë punuar me të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës, duke mbështetur rehabilitimin, mirëqenien dhe fuqizimin e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat