BE-ja sjell vaksinat në Ballkan pas Kinës dhe Rusisë

Lajme

BE-ja sjell vaksinat në Ballkan pas Kinës dhe Rusisë

Më: 4 maj 2021 Në ora: 21:38
Ilustrim

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se një e katërta e banorëve të Bashkimit Evropian aktualisht kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19.

Pas një fillimi të ngadaltë të fushatës së vaksinimit, BE-ja ka përshpejtuar ritmin e imunizimit ndërsa gjatë javëve të fundit janë rritur furnizimet me vaksina në bllokun 27 anëtarësh.

“Vaksinimi është përshpejtuar në Bashkimin Evropian. Kemi tejkaluar shifrën prej 150 milionë vaksinimesh”, shkruante Ursula von der Leyen, në rrjetin social Twitter. “Një e katërta e evropianëve kanë marrë dozën e parë. Do të kemi doza të mjaftueshme për të vaksinuar 70% të të rriturve në BE deri në korrik.”

Bashkimi Evropian ka filluar shpërndarjen e vaksinave kundër COVID-19 të financuara nga BE-ja në të gjithë Ballkanin, ku Kina dhe Rusia prej muajsh kanë furnizuar atë rajon me vaksinat tepër të nevojshme, transmeton voa.

Komisioni Evropian njoftoi muajin e shkuar se 651 mijë doza të vaksinës Pfizer do të dërgoheshin në Serbi, Bosnjë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Shqipëri dhe Kosovë. Dërgesat do të jenë javore nga maji deri në muajin gusht.

Vaksinat financohen nga një paketë prej 70 milionë eurosh, e cila u miratua nga Komisioni në muajin dhjetor. Shumica e vendeve të Ballkanit nuk kanë pasur sukses të sigurojnë vaksina.

Theksojmë se Kosova deri më tani ka marrë vetë rreth 29 mijë vaksina kundër COVID-19, nga mekanizmi COVAX.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat