A po bëhet Kosova vend atraktiv për trafikimin e drogës?

Lajme

A po bëhet Kosova vend atraktiv për trafikimin e drogës?

Më: 17 maj 2021 Në ora: 23:30
Foto ilustrim

Në “Debat Plus” është diskutuar për aksionin e sotshëm të policisë dhe prokurorisë ku janë sekuestruar një sasi e madhe e drogës e llojit kokainë.

Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se konfiskimi i një sasie kaq të madhe të drogës në Kosovë është në shpërputhje me drogën që është zënë deri më tani në vendin tonë.

“Është një sasi enorme dhe është në dekuivalencë me vitet tjera. Në vitin 2017 në Kosovë janë konfiskuar 700 gramë drogë e llojit kokainë. Në vitin 2018 janë konfiskuar 1.7 kilogramë dhe afërsisht aq edhe në vitin 2019”, tha ai.

Shala thotë se është shumë shqetësuese nëse Kosova ka konsumues për 400 kg drogë.

“Nëse kjo qëndron, Kosova është në situatë alarmante”, deklaroi Shala.

Gazetari hulumtues Kreshnik Gashi thotë se është shumë shqetësuese se në vitet e fundit për herë të parë në Kosovë kanë ndodhur vrasje për pazare të drogës.

Gashi thotë se Kosova ka dhënë dënime qesharake për trafikantët e drogës.

“Policët e antidrogës në Kosovë janë shndërruar në policë trafiku…Për 100 kg drogë janë dhënë 9 muaj burg. Kjo e ka bërë Kosovën ndër vendet më atraktive në rajon për trafikim të drogës”, deklaroi Gashi.

Avokati Naim Rudari thotë se hetimi i rasteve të narkotikëve është më specifik në raport me krimet tjera.

“Duhet një përkushtim i madh në luftimin e narkotikëve. Shpesh herë hetuesit jo të trajnuar mirë e kanë të vështirë të dallojnë llojet e drogave”, deklaroi Naim Rudari.

Drejtori i Organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj thotë se është shumë e çuditshme që droga ka ardhur në Kosovë nga një vend evropian si Italia për t’u përpunuar këtu e më pas të kthehet përsëri në vendet perëndimore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat