Si përhapet te njeriu gripi i shpezëve dhe cilat janë simptomat?

Lajme

Si përhapet te njeriu gripi i shpezëve dhe cilat janë simptomat?

Më: 15 qershor 2021 Në ora: 20:10
Foto ilustrim

Javë më parë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK), ka konfirmuar se pas analizave të kryera në laboratorin e AUVK-ut, ka rezultuar se në vend është prezent “Gripi i Shpezëve tipi H5N8”. 

AUVK pas shfaqjes së gripit ka asgjësuar disa shpezë në fermat familjare, të cilat kanë rezultuar pozitiv me gripin e shpezëve në disa qytete të Kosovës. 

Nga ana tjetër sipas infektologut, Arben Vishaj, paraqitja e këtij gripi nuk paraqet shqetësim.

Deri më tani nga gripi i shpezëve janë prekur vetëm fermat e ekonomive familjare, kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i AUVK-ut, Lamir Thaçit.

“Fermat e prekura sipas komunave deri me tani janë:  Skenderaj, Ferizaj, Obiliq, Rahovec, Prizren, Mitrovicë, Suharekë, Shtime, Kamenicë dhe Kaçanik. Ashtu sikurse është e përcaktuar me udhëzim administrativ dhe ligjet nga fusha e veterinarisë, të gjitha fermat e ekonomive familjare të cilat kanë rezultuar pozitiv në sëmundjen Gripi i Shpezëve, janë asgjësuar nën mbikëqyrje të inspektorëve Veterinar”, tha Thaçi.

Ai tha se deri më tani janë të regjistruara 163 ferma komerciale në vend, dhe nuk ka shpezë të prekura nga gripi në ndonjë fermë komerciale.

“Të regjistruara nuk janë fermat të cilat mbajnë shpezë për nevoja familjare. Fermat e ekonomive familjare nuk paraqesin kërkesa për regjistrim. Deri me tani te prekur nga gripi i shpezëve Avian Influenca kemi vetëm ferma të ekonomive familjare”, tha ai.

Thaçi tregoi po ashtu se nuk ka fakte që mishi dhe vezët e shpezëve e bartin sëmundjen te njeriu, mirëpo sipas tij, rekomandohet që të mos konsumohen këto produkte nga shpezët e prekura me grip.

“Sipas hulumtimeve shkencore të cilat i  gjeni në faqen zyrtare të OIE-së [Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve]. Nuk ka fakte evidente  se mishi i shpezëve dhe vezët mund ta bartin sëmundjen tek njeriu, mirëpo rekomandohet qe, shpezët e sëmura dhe vezët nga shpezët e prekura nga kjo sëmundje duhet të asgjësohen dhe të ndalohet vendosja e tyre në zingjirin ushqimor”, tha Thaçi.

Ndërsa, infektologu Arben Vishaj tha se nuk ka pasur raste që ky grip i shpezëve të jetë shfaqur të njerëzit dhe se sipas tij nuk ka vend për shqetësim.

“Kjo formë e cilat është shfaqur në fermat në Kosovë kohën e fundit, zakonisht nuk kalon te njeriu, që të paraqitet forma qoftë e implikimeve mushkërore ose format e tjera dhe si ti tillë mund të paraqet eventualisht ndonjë komplikim, në qoftë se prekin produktet e shpezëve të infektuar. Në rast se pas prekjes së produkteve të shpezëve të infektuara, i prekin sytë atëherë munden të shkaktohen skuqje të syve, por jo në një formë klinike në drejtim të hapjes së infeksionit të gripit të shpezëve në masë. Prandaj rreziku i këtij gripi që është izoluar nuk është i madh”, tha Vishaj.

Ai po ashtu tha se gripi transmetohet tek njerëzit, përkatësisht te punëtori i fermës në rast se numri i shpezëve të infektuara në atë fermë është shumë i madh, por në Kosovë dhe në rajon kjo nuk ka ndodhur.

“Me qenë se nuk përhapet te njerëzit, atëherë ky virus i paraqet problem veterinës, mirëpo nuk paraqet problem të madh për shëndetin publik. Virusi bartet prej shpezëve të një ferme në shpezët e një ferme tjetër, ndërsa dalja e atij virusi në botën njerëzore nuk paraqitet në këtë formë çfarë është shfaqur, nuk është si COVID-19, apo sëmundjeve të tjera respiratorë. Prandaj nuk ka nevojë për panik”, tha Vishaj.

Ndërkohë, Shqipëria më 8 qershor ka konfirmuar rastet e para me grip të shpezëve dhe shërbimi Veterinar ka bërë eliminimin e shpezëve të prekura. Ndërsa në Kinë është konfirmuar rasti i parë i infektimit të njeriut, nga ky gripi i shpezëve.

Çfarë është gripi i shpezëve?

Gripi i shpezëve “Avian Influenca” është një sëmundje virale ngjitëse që prek zogjtë shtëpiak dhe ata të egër. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) gripi i tipit H5N8 është një nënlloj i virusit të gripit A (ndryshe i quajtur grip i shpezëve). I cili është shumë vdekjeprurës për zogjtë e egër dhe shpezët.

H5N8 zakonisht nuk infekton njerëzit; megjithatë, shtatë persona në Rusi u gjetën të infektuar në 2021, ata ishin punëtorët të fermave të pulave të cilët morën pjesë në një operacion reagimi për të parandaluar një shpërthim të gripit të shpendëve A (H5N8). Rastet mbetën asimptomatike për tërë kohëzgjatjen e vëzhgimit (disa javë).

Gripi i shpezëve kryesisht përhapet nga kontakti i drejtpërdrejtë midis zogjve të infektuar dhe atyre të shëndosha. Gjithashtu mund të transmetohet, kur zogjtë bien në kontakt me pajisje ose materiale (përfshirë ujin dhe ushqimin për kafshë) që janë kontaminuar me jashtëqitje ose sekrecione nga hunda ose goja e zogjve të infektuar.

Njerëzit gjithashtu mund të përhapin sëmundjen indirekt nga ferma në fermë duke mbajtur virusin në veshjet e tyre, çizmet ose përmes rrotave të automjeteve. Zogjtë e egër normalisht mund të mbajnë virusin pa u sëmurur vetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat