U dërgua me pranga në Prokurori, mediat kroate çuditen me këtë fakt

Lajme

U dërgua me pranga në Prokurori, mediat kroate çuditen me këtë fakt

Më: 26 korrik 2021 Në ora: 15:44
Shoferi i cili shkaktoi aksidentin e trafikut në Kroaci

Shoferi që shkaktoi aksidentin tragjik në autostradën afër Slavonski Brodit dje, ku mbetën të vdekur 10 persona, u dërgua sot në Zyrën e Prokurorit të Qarkut.

Ai u mor në pyetje atje, ndërsa pritet që Zyra e Prokurorit të Shtetit të vendosë për rrjedhën e këtij rasti, ose thënë ndryshe nëse do të kërkojë masë arresti për shoferin ose ta lirojë atë.

Por shoferi u soll në Prokurori me pranga. Nëpër media sociale në Kroaci filluan pyetjet se përse ai ishte i prangosur, përderisa disa keqbërës, edhe për krime shumë më serioze, nuk prangosen. Për shembull, Smiljana Sërnec, e cila kishte mbytur motrën e saj dhe e kishte fshehur trupin e saj në një sënduk për 20 vjet, ishte prangosur nga oficerët policorë.

Në ndërkohë, Huanito Luksetiq ishte ndaluar në Rjekë më 2015-n dhe ishte prangosur për prodhim dhe shitje të marihuanës.

“Index.hr” ka pyetur Policinë për këtë rast.

Damir Breziq, zëdhënës i Departamentit të Policisë në qarkun e Brodit, ka komentuar shkurt rastin.

“Është procedurë standarde operative për parandalimin e personit të ndaluar nga ikja”, ka thënë ai shkurt.

Por mediumi ka folur edhe me ekspertin e kriminalistikës, Zhelko Cvërtila. Ai ka treguar se në çfarë rastesh duhet të praktikohet kjo procedurë.

“Kjo në esencë bëhet me vlerësim të policisë, më së shpeshti si masë preventive për ikje. Por nuk e shoh logjikën e ikjes së një shoferi autobusi. Prangat u vihen në ato raste kur ka probleme me arrestimet, kur lëshohet një urdhërarrest për atë person që nuk është paraqitur në organet e rendit, kur një person ka kryer një krim të rëndë, për shembull vrasje ose vjedhje. Në përgjithësi prangat u vihen atyre personave që mund të ikin, të krijojnë probleme, të rezistojnë ose të sulmojnë oficerët policorë”, thotë Cvërtila.

“Ky është krim i rëndë, por në trafik. Nuk e kuptoj se për çfarë arsyeje do të ikte shoferi, nuk ka kuptim për mua, por them sërish se vlerësimi bëhet nga policia. Ka raste kur shkelësit ndalohen në trafik, por më së shpejti kur ngasin furishëm, kur një person vlerësohet se duhet prangosur”, shtoi ai.

Në artikullin e “Index”-it është hapur sondazhi me pyetjen “A është dashur që policia ta prangosë shoferin?”. Deri më tani janë dhënë rreth 10 mijë përgjigje dhe mbi 90% e tyre mendojnë se nuk është dashur të merret një masë e tillë ndaj tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat