19 vrasje janë kryer në tetë muajt e vitit 2021 në Kosovë

Lajme

19 vrasje janë kryer në tetë muajt e vitit 2021 në Kosovë

Më: 18 shtator 2021 Në ora: 18:11
Foto ilustrim

Nga viti 2016 e deri në muajin gusht të vitit 2021, në Kosovë kanë ndodhur 154 vrasje. Viti më i përgjakshëm ishte viti 2018, kur kishin ndodhur 34 vrasje. Derisa në tetë muajt e vitit 2021, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës janë kryer 19 vrasje.

Për njohësit e çështjeve të sigurisë në Kosovë, arsyeja kryesore për këtë fenomen janë armët ilegale që janë në duart e qytetarëve.

Plator Avdiu nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), thotë se këto armë janë nxitësi kryesor i vrasjeve që ndodhin në Kosovë.

Sipas tij, një përgjegjësi të madhe e kanë edhe institucionet e sigurisë dhe gjyqësisë që nuk po ndërmarrin vendime proaktive në drejtim të parandalimit të këtyre rasteve.

Problemi kryesor është numri i madh i armëve ilegale që janë në posedim të qytetarëve, ku vetëm një numër simbolik ndoshta janë armë që i kalojnë procedurat ligjore që të posedohen me leje, dhe në anën tjetër një problem që po shfaqet sidomos me këto rastet e dhunës në familje, është edhe mos reagimi i institucioneve të sigurisë dhe gjyqësisë që po lënë në liri njerëz që kanë dosje penale të hapura në polici dhe prokurori”, thotë Avdiu.

Avdiu thotë se duhet të rriten ndëshkimet për ata që kanë armë ilegale dhe të ketë afate më të shpeshta për regjistrimin e armëve.

Pandemia COVID-19 si shtytëse e vrasjeve

Psikologu, Yll Avdiaj, thotë se është shqetësuese rritja e vrasjeve në Kosovë. Sipas tij, në rritjen e vrasjeve ka ndikuar edhe pandemia COVID-19.

Sipas të dhënave, më 2020 kanë ndodhur 17 vrasje, ndërkaq nga periudha janar-gusht e vitit 2021 kanë ndodhur 19 vrasje.

Avdiaj thotë se një dukuri e tillë e kërcënon sigurinë dhe rrit rrezikshmërinë në vendin tonë.

Kohët e fundit, sidomos pas gjendjes së krijuar nga pandemia, pas izolimit, kjo dukuri vetëm se është shpeshtuar në shoqërinë tonë dhe pothuajse nuk kalon javë që ne nuk dëgjojmë që ka ndodhur një vrasje në vendin tonë”, thotë Avdiaj.

Avdiaj thotë se institucionet duhet ta marrin me seriozitet këtë dukuri, duke filluar nga niveli edukativo-arsimor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat