Aktivizohet edhe gruaja e Kadri Veselit/ Shkon në Skenderaj, ja kë po e përkrahë atje

Lajme

Aktivizohet edhe gruaja e Kadri Veselit/ Shkon në Skenderaj, ja kë po e përkrahë atje

Më: 12 tetor 2021 Në ora: 15:43
Violeta Veseli

Bashkëshortja e Kadri e Veselit, Violeta Veseli ka vizituar dje Skenderajn në përkrahje të kandidatit të PDK-së për kryetar të kësaj komune, Fadil Nura. Vizita e saj erdhi pasi deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu kishte thënë se ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dy javë para se të arrestohej nga Gjykata Speciale kishte deklaruar se sa të jetë kryetar i PDK-së, nuk do t’i qes kundërkandidat një anëtari të familjes Jashari.

Dje, kandidati për kryetar të komunës së Skenderajt nga PDK-ja, Fadil Nura ka pritur në takim bashkëshorten e Kadri Veselit, Violeta Veseli të cilën e ka falenderuar për përkrahje.

Kam mirëpritur me respekt të veçantë bashkëshorten e kryetarit Veseli, znj.Violetë, me të cilën ndajmë mendim të përbashkët se heronjtë e gjallë që po mbahen padrejtësisht në paraburgim në Hagë, do të dalin triumfues e faqebardhë në fund të procesit politik me të cilin po përballen. Kanë tejkaluar sfida edhe më të rënda dhe kanë triumfuar. Faleminderit për përkrahje, znj.Violetë! Fitorja jonë do të jetë dedikim për presidentin Thaçi dhe kryetarin Veseli. Ua kemi borxh një fitore të madhe më 17 tetor”, ka shkruar ai.

Para disa jave, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu i cili përkrah publikisht kryetarin e tanishëm të Skenderajt, Bekim Jasharin, ka thënë se ish-kryetari Kadri Veseli, në takimin që kanë pasur sëbashku me Bekim Jasharin e Nuredin Lushtakun ka deklaruar se sa të jetë në krye të PDK-së nuk do të vendos kundërkandidat ndonjë anëtari të familjes Jashari.

Ish-kryetari Kadri Veseli e ka thënë edhe dy javë para se të arrestohet nga Gjykata Speciale në takimin që e kemi pasur me Bekim Jasharin dhe Nuredin Lushtakun se sa të jem unë kryetar i PDK-së nuk i qes kundërkandidat një anëtari të familjes Jashari”, kishte thënë deputeti Haxhiu.

Të njëjtën deklaratë të Haxhiut, e ka thënë edhe kandidati për kryetar Bekim Jashari.

Po e citoj, ish-kryetarin Kadri Veseli, i cili ka thënë që jo Bekim Jashari, po saher që dikush nga familja Jashari do të jetë kandidat, PDK-ja sa unë të jem kryetar i PDK-së nuk guxon të ketë kundërkandidat ndaj familjes Jashari, sepse ne si PDK jemi dalë nga Ushtria Çlirimtare të Kosovës, sepse jemi ata njerëz të cilët kemi qenë në UÇK, dhe UÇK-ja është brum dhe e lindur nga familja Jashari dhe ne nuk guxojmë të kemi rivalitet ndaj kësaj familje, ndaj vlerave tona dhe nuk guxojmë të bëjmë gabime të tilla”, ka thënë Jashari.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat