Ish-ambasadori amerikan: Hartat e reja nuk zgjidhin problemet mes Kosovës e Serbisë

Lajme

Ish-ambasadori amerikan: Hartat e reja nuk zgjidhin problemet mes Kosovës e Serbisë

Më: 27 gusht 2018 Në ora: 22:14
Richard Kauzlarich

Ish-ambasadori Amerikan në Bosnje e Hercegovinë, aktualisht profesor në Universitetin George Mason, Richard Kauzlarich, është shprehur i brengosur me vet idenë e vizatimit të kufijve të rinj në Ballkan.

Në një bisedë, Kauzlarich thotë se vizatimi i kufijve të rinj në Ballkan dhe në përgjithësi kjo ide është shqetësuese, dhe thotë të ketë shpresuar që kjo çështje kishte marrë fund qysh gjatë shërbimit të tij në Bosnje.

“E di nga koha kur shërbeja në BeH, kur njerëzit nisin të nxjerrin letra dhe sërish të vizatojnë kufij, ndodhin gjëra të këqija. Nuk e di saktësisht se çfarë kanë Serbia dhe Kosova në mendje, por hartat e reja nuk zgjidhin problemet themelore që ende ekzistojnë mes Kosovës e Serbisë. Jam i brengosur dhe nuk e di se si njerëzit në Bosnje e Hercegovinë i shin këto çështje të diskutohen mes Serbisë e Kosovës, por sërish e them se, personalisht, nuk mendoj se do të zgjidhin probleme. Po të ishte kaq e thjeshtë vizatimi i hartave të reja, këtë do ta bënim para 20 vjetësh”, thotë Kauzlarich, duke shtuar se kur të zgjidhen problemet tjera në rajon, “tek atëherë mund të mendojmë nëse ka fare kuptim të flitet për vizatimin e kufijve”, transmeton Koha.net.

Duke folur për vdekjen e senatorit republikan, John McCain, Kauzlarich thotë se shkuarja e tij është humbje për të gjithë ne, ndërsa thotë se brenga e tij për Ballkanin ka qenë ndikimi rus, sidomos në Bosnje.

“Më duhet të them se e ndaj mendimin e tij, dhe ai ndikimi është shtrirë në të gjitha vendet në rajon, duke filluar nga Serbia, në të cilën, sipas mendimit tim, është një objekt që është ndërtuar në Nish e cili është pothuajse bazë ushtarake për rusët. Kemi edhe përfshirjen ruse në përpjekjen për grusht-shtet në Mal të Zi, përfshirjen e tyre në ngjarjet në Greqi dhe tentimin e ndikimit në zgjidhjen e çështjes maqedonase. Mendoj se këtu vihet në pikëpyetje gjithçka për çka kemi punuar për qytetarët e Bosnje e Hercegovinës dhe të Kosovës që të ndërtojmë diçka të mirë nga lufta e tmerrshme. Nuk është gjë e mirë sepse rëndësia që sjell Rusia në këtë rajon është e bazuar në ndarje e jo në bashkim”, thotë diplomati amerikan, dhe shton se shpreson që ky ndikim i, siç thotë ai, ndarjeve tjera, do të stopohet nga administrata e SHBA-së.

Ai foli edhe për angazhimin e shtuar të Britanisë së Madhe në Ballkan, duke theksuar se përveç Britanisë, duhet dëgjuar edhe mendimin e Gjermanisë.

“Angazhimi i tyre në rajon nuk është befasuar për mua. Megjithatë, do të doja të thosha se duhet t’i kushtojmë kujdes më të veçantë mendimit të Gjermanisë. Më duhet të them se Kancelarja Merkel e ka thënë gjënë e parë kur ka folur për vizatimin e kufijve të rinj. Gjermania kohëve të fundit ka luajtur rol mjaft aktiv. Kur është në pyetje BE-ja, ajo do të jetë gjithmonë aty, pavarësisht se çka dikush mendon për të ardhmen e Bashkimit Evropian, do të mbetet faktor i fuqishëm kur kemi të bëjmë me elementet politike, por edhe ekonomike. Vendosja e Bosnje e Hercegovinës, Serbisë dhe Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit eventual në BE është e arsyeshme dhe e pranueshme si rrugë përpara”, theksoi ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bosnje e Hercegovinë, Richard Kauzlarich.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat