"Limaj në krye grupit negociues, tendencë për ta shpëtuar Qeverinë"

Lajme

"Limaj në krye grupit negociues, tendencë për ta shpëtuar Qeverinë"

Më: 3 shtator 2018 Në ora: 23:43
Fatmir Limaj

Artan Demhasaj ka thënë se nëse nesër në Kuvend kalon një rezolutë e opozitës e mbështetur nga parti në pushtet, koalicioni qeveritar do të prishet.

Artan Demhasaj nga “Çohu” ka thënë se protestat e organizuara nga shoqëria civile do të vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre, që janë shkarkimi i Kryeprokurorit Aleksandar Lumezi dhe fillimi i një procesi të Vettingut.

Ai ka thënë se nëse kërkesat nuk merren parasysh, protestuesit mund edhe të shkojnë deri në bllokimin e institucioneve të kontestuara.

Duke folur për procesin e dialogut me Serbinë dhe një shkëmbimi të mundshëm territoresh, Demhasaj ka thënë se emërimi i Fatmir Limajt në krye të “Ekipit të Unitetit”, është një tendencë për të shpëtuar qeverinë nga rënia.

“Kjo mund të jetë edhe një tendencë për të shpëtuar qeverinë nga rënia, sepse nëse nesër (e martë) miratohet një rezolutë që kërkon nga Presidenti që të mos dialogojë me Serbinë, atëherë kjo mund të ndikojë që koalicioni qeveritar të thyhet dhe të shkohet drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, ka thënë Demhasaj duke shtuar se vetë Haradinaj është shprehur pro një rezolute të tillë të propozuar nga opozita.

Anëtari i shoqërisë civile ka thënë se nëse hipotetikisht një grup me në krye Limajn votohet në Kuvend për të marrë përgjegjësinë për të dialoguar me Serbinë, atëherë roli i Hashim Thaçit në procesin e dialogut do të zbehej shumë.

“Por edhe nëse nuk votohet në Kuvend këta emra, Thaçi është i obliguar t’i përfshijë në proces pasi Qeveria i ka emëruar”, deklaroi Demhasaj.

Demhasaj ka thënë se opozita do ta ketë të vështirë ta kaloj rezolutën për të frenuar Thaçin, pasi e ka të vështirë të ketë kuorumin e nevojshëm.

“AAK dhe NISMA ndoshta mund të qëndrojnë në sallë por mund të mos e votojnë rezolutën e opozitës”.

Ai ka thënë se në BE duan një marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë para zgjedhjeve që do të mbahen në Parlamentin Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat