Jakshiq: Vizita e Vuçiqit në Kosovë ishte menduar të jetë “Gazimestani 2”

Lajme

Jakshiq: Vizita e Vuçiqit në Kosovë ishte menduar të jetë “Gazimestani 2”

Më: 8 shtator 2018 Në ora: 09:42
Aleksandar Vuçiq

Në veri të Kosovës janë kryer të gjitha përgatitjet për pritjen e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili vjen sot në një vizitë dyditore në Kosovë.

Ka përfunduar asfaltimi i rrugëve, nëpër të cilat do ta kalojë Vuçiqi, kurse veriu i Mitrovicës është dekoruar si asnjëherë më parë me flamuj serbë dhe foto të Presidentit të Serbisë, në të cilat shkruan:  “Mirë se vjen, president”.

Janë përmbyllur edhe listat e atyre që do të shkojnë në tubimin e Vuçiqit, kurse qytetarët serbë janë urdhëruar që të grumbullohen në Mitrovicë, edhe në qoftë se Vuçiq në momentet e fundit do ta anulojë vizitën.

Politikani serb Marko Jakshiq i Lëvizjes së serbëve të Kosovës “Atdheu”, thotë për gazetën serbe “Danas” se  pas fërkimeve të fundit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është mjaft e qartë se nuk do të ketë asgjë nga “Gazimestani 2” dhe vizita e paralajmëruar e pompozitet e Vuçiqit.

“Është i pakuptimtë krahasimi me Gazimestanin, sepse Gazimestani i Millosheviqit duhej ta kthente Kosovën në Serbi, kurse ky i Vuçiqit [‘Gazimestani 2’] Kosovën të çon drejt në Shqipëri. Unë besoj se presidenti, do të vijë në Kosovë në marrëveshje me Brukselin, por që vizita do të shkurtohet. Ai nuk do të vizitojë të gjitha ato pjesë të Kosovës që ai ka planifikuar, kështu që nuk do të ketë asgjë nga shkëlqimi i planifikuar. Unë nuk pres një fjalim historik siç e ka paralajmëruar, por ai do të përsëris tregimin nga i ciki askush nuk do ta ketë më mirë”, thotë Jakshiq.

Sipas tij, “sa më shumë institucione të Serbisë në Kosovë që Vuçiqi po ia dorëzon Prishtinës, në Mitrovicn veriore ka më shumë simbole dhe flamuj të varur në shtylla, si një lloj kompensimi”.

Bashkëbiseduesit e gazetës serbe, të cilët nuk kanë daashur t’u përmendet emri nga frika e hakmarrjes dhe largimeve nga puna, kanë treguar se Mitrovica e veriut është dekoruar me flamuj të rinj dhe në çdo shtyllë është varur flamuri me portretin e Vuçiqit dhe me mesazhin “Mirë se vjen presidentit!”.

“Pikërisht ky mesazh te qytetarët shkakton tallje, dhe mes vete përshëndetemi me një pëshpëritje, ‘mirë se vjen president’. Mirëpo, erdhi apo nuk erdhi ai, është lëshuar një urdhër që në tubimin e planifikuar duhet të shkojmë, që të dëshmojmë sesi serbët besojnë në presidentin e tyre dhe se sa janë të zhgënjyer që ai nuk ka ardhur [në qoftë se nuk vjen]. Njerëzve në Zveçani u është urdhëruar që në tubim të shkojnë në këmbë dhe në kolonë “, tha një qytetar serbë, i cili tregon se një eufori e tillë që mbizotëron para ardhjes së  Vuçiqit, nuk mbahet mend deri më tani.

Bashkëbiseduesit e gazetës tregojnë se edhe deri më tani janë  bërë lista me emrat e tyre qëkanë marrë pjesë në tubime të mbështetjes, por për herë të parë atyre që kanë refuzuar të marrin pjesë u janë ofruar vërtetime të refuzimit në një listë të veçantë, përmes një deklarate.

“Kështu do të kuptoni frikën tek ne që jemi të punësuar në shërbimin civil. Nuk na është thënë se çfarë mund të na ndodhë nëse refuzojmë shkuarjen në tubim, por është e lehtë të kuptohet. Shumë janë këtu kundër shkuarjes në mënyrë të organizuar në mitingun e njeriut që nuk na sjell asgjë të mirë, por detyrohemi de nënshkruajmë”, thotë qytetari serb nga Mitrovica.

Vetë presidenti serb ka paralajmëruar se gjatë vizitës në veri të Kosovës do të mbajë njërin nga fjalimet e tij më të rëndësishme, duke e cilësuar madje si historik.

Vuçiq mbrëmë ka konfirmuar se sot do të vijë në Kosovë dhe se vizitën do ta nis me shkuarje te liqeni i Ujmanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat