Për 10 vjet rreth 500 vrasje në Kosovë, 4 persona u vranë vetëm gjatë këtij muaji

Lajme

Për 10 vjet rreth 500 vrasje në Kosovë, 4 persona u vranë vetëm gjatë këtij muaji

Më: 18 shtator 2018 Në ora: 18:53
Ilustrim

Shtatori po del të ketë qenë muaji më i kobshëm për kosovarët gjatë këtij viti. Për vetëm dy javë, në vend u shuan katër jetë. Peja, Istogu dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës ishin vendet ku u kryen vrasjet. E ndonëse në vend nuk kalon asnjë muaj pa ndodhur deri në tri vrasje, organet e hetuesisë thonë se ka ulje të numrit të vrasjeve krahasuar me vitet e kaluara.

Kenan Sadriaj qe disa vite punonte në një nga mishtoret në qendër të Pejës. 29 vjeçari nga Peja nga fqinjët njihej si një djalë i urtë dhe joproblematik. Por, jeta e Kenanit iu ndal në mënyrë të mistershme nga persona të panjohur mbrëmjen e së dielës që lamë pas.

Në trupin e Kenanit, baba i katër fëmijëve u shkrepën katër plumba. E ndonëse kanë kaluar më shumë se 24 orë nga vrasja që tronditi Pejën, policia ende nuk ka arrestuar asnjë person për këtë rast.

Por, ky nuk është rasti i vetëm i vrasjes që ka ndodhur këtë muaj. Një prej tyre ndodhi në institucionin më të lartë të sigurisë në vend, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI).

Pjesëtari i sigurimit në AKI-i, Valon Ibërdemaj dyshohet se gjuajti me armë drejt kryekuzhinierit në bufenë e AKI-së, Isa Sejdiut duke e lënë pa shenja jete këtë të fundit. Viktima ndërroi jetë në QKUK pasi nuk arriti t’u rezistojë plagëve të marra.

Në Policinë e Kosovës kanë treguar, se vetëm në gjashtëmujorin e parë të 2018-ës, në vend janë regjistruar 15 vrasje. Ndërsa, në vitin e kaluar thonë se kanë ndodhur 27 vrasje.

“Referuar kërkesës suaj ju informojmë se ne vitin e fundit 2017 janë evidentuar 27 raste, ndërsa në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018 janë raportuar 15 raste vrasje. Statistikat e gjashtëmujorit te dyte do te bëhen publike me kohe pas përfundimit te periudhës kohore”, thuhet në përgjigjet e policisë.

Sipas statistikave nga Policia e Kosovës, në 10 vitet e fundit në vend kanë ndodhur rreth 500 vrasje, e janë shkrepur me qindra plumba.

E edhe pse pothuajse çdo muaj në vend ndodhin dy e më shumë raste, në polici deklarojnë se në krahasim me vitet e kalura ka rënie të numrit të vrasjeve.

Ndërsa, për moshën e personave dhe motivet e rasteve thonë se janë të ndryshme, gjersa deklarojnë se këto bëhen te ditura tek organet e drejtësisë.

Ndërkohë, që arsyet kryesore të vrasjeve sipas sociologëve janë e drejta zakonore, apo gjakmarrja dhe numri i madh i armeve në duart e qytetarëve.

Shqetësuese sipas tyre është se ky fenomen pas vitit 1999 është në rritje.

Sociologu Ferdi Kamberi ka thënë për Express se ky fenomen pas vitit 1999 është në rritje, ani pse një gjë e tillë sanksionohet me Kodin Penal të Kosovës.

“Vetëm gjatë vitit 2017 në Kosovë ka pasur rreth 24 vrasje të moshave të ndryshme, gjë që është tejet shqetësuese për një shoqëri të re si ajo e Kosovës. Edhe pse parimisht një gjë e tillë sanksionohet me Kodin Penal të Kosovës”, ka thënë Kamberi.

Prezencën e një numri të lartë të armëve në duar e qytetarëve, Kamberi po e sheh si një nga faktorët kyç që shtynë drejt rritjes së numrit të vrasjeve.

Ndryshe, vetëm gjatë periudhës janar-nëntor të vitit të kaluar, Policia ka konfiskuar mbi 150 armë të llojeve të ndryshme. Ndërsa sipas të dhënave të përgjithshme pothuajse çdo vit Policia e Kosovës konfiskon nga 1200-1500 armë të llojeve të ndryshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat