75 vjetori i lindjes së Jusuf Gërvallës, Haradinaj kujton veprën e tij

Lajme

75 vjetori i lindjes së Jusuf Gërvallës, Haradinaj kujton veprën e tij

Më: 1 tetor 2018 Në ora: 09:52
Jusuf Gërvalla

Kryeministri Ramush Haradinaj ka kujtuar atdhetarin Jusuf Gërvalla, në 75 vjetorin e tij të lindjes.

Haradinaj ka thënë se Jusuf Gërvalla, së bashku me të vëllanë Bardh Gërvallën dhe Kadri Zekën, mbetën në kujtesën shtetërore- si lajmëtarët e lirisë dhe si fuqi motorike e lëvizjes politike të shqiptarëve.

“Në mesin e shumë mendimtarëve dhe luftëtarëve për lirinë e Kosovës, emri i Jusuf Gërvallës veçohet, sepse ai rrëfen për një artist shumëdimensional që iu bë zëdhënës kohës dhe brezit të tij. Kujtojmë sot, në 75-vjetorin e lindjes, disidentin që shënoi me shembullin e tij prej kryengritësi vitet e tetëdhjeta, epokën kur populli ynë u rizgjua për të kërkuar të drejtën e tij për të jetuar i lirë e i barabartë. Jusufi, së bashku me të vëllanë Bardhin dhe Kadri Zekën u vranë me atentat, më 1982 në Gjermani, por mbetën në kujtesën shtetërore, si lajmëtarët e lirisë dhe fuqi motorike të lëvizjes politike të shqiptarëve, deri në frymën e fundit”, shkroi Haradinaj, përcjell KosovaPress.

Për nder të veprës së Gërvallës,  Brigada 131 e UÇK-së mbajti emrin e tij.

“Lavdi Heroit të Kosovës, Jusuf Gërvalla”, përfundoi i pari i ekzekutivit.

Jusuf Gërvalla Lindi në Burrëmad, në komunën e Deçanit. Shkollimi i lartë tij vijoi në Prishtinë e Ljubjanë, më pas punoi si gazetar në Shkup e Prishtinë. Një nacionalist i zëshëm, hyri në radarin e Policisë sekrete jugosllave, duke u shtyrë të kërkonte azil në Gjermani ku themeloi Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës që më pas u nda në dy fraksione Lëvizja Popullore e Kosovës dhe Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, të fundit e kryesonte Gërvalla.

Më 18 janar 1982 Jusufi bashkë me të vëllanë, Bardhoshin, dhe Kadri Zekën u vranë në lokalitetin Untergruppenbach pranë Shtutgartit në Gjermaninë Perëndimore asokohe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat