Ekspozohen portretet e dëshmorëve dhe personaliteteve historike

Lajme

Ekspozohen portretet e dëshmorëve dhe personaliteteve historike

Më: 3 tetor 2018 Në ora: 20:16
Foto

“Portretet e dëshmorëve dhe të personaliteteve historike kombëtare” është titulli i ekspozitës individuale të piktorit Emrush Xhemajli, që është hapur sot në Muzeun e Kosovës.

Shumica e portreteve nga piktori Emrush Xhemajli janë punuar në tri vitet e fundit, dhe në qendër kanë dëshmorët dhe personalitetet që kanë lënë gjurmë në historinë e kombit.

Piktori Emrush Xhemajli në hapje të ekspozitës ka preferuar të flas shkurtë, duke thënë se atë që ka dashur ta thotë e ka shprehur përmes pikturave.

Xhemajli: Atë çka kam dashur të flas e kam thënë përmes figuracionit

“Unë nuk do të flas, si në gjuhë e letërsi, që janë edhe pjesë e ligjëratës, pjesët e ligjëratës në artin figurativ janë elementet, parimet figurative, unë me to kam punuar. Kështu që, atë çka kam dashur të flas, e kam thënë përmes figuracionit”, tha ai.

Për vlerat figurative të ekspozitës ka folur kuratori i kësaj ekspozite, Hivzi Muharremi.

Muharremi: Para neve sonte flasin tablot, flasin imazhet, flasin portretet

“Para neve sonte flasin tablot, flasin imazhet, flasin portretet, flet një gjuhë e pastër artistike, flet një gjuhë e elementeve të ngjyrës, koloritit, ku piktori me përkushtim, me admirim të madh i është qasur dy elementeve figurative në tërë spektrin e këtyre portreteve. Elementi i ngjyrës është element parësor, element i cili është studiuar në paletën e piktorit, element i cili manifestohet nga fryma e teknikës së lehtë transparente që fillon e deri tek kompozimet, tek veprat me një faturë më pastuoze, ku planet kompozocionale autori i ka përfituar përmes gradacioneve, përmes shkallëzimeve të tonaliteteve koloristike. Në këtë spektër të këtyre ngjyrave implementohet elementi tjetër i formës, formë e cila është stoike, forma e cila manifestohet në tërë kompozimin e këtyre imazheve duke filluar nga personaliteti më i shquar Skënderbeu”, u shpreh ai.

Kuratori Muharremi, ka thënë se autori ka luajtur me ngjyra, ku sipas tij kryesisht ngjyrat në krahasim me portretet tjera janë shumë më të lehta. Sipas tij, i tërë fokusimi i krijuesit ka shkuar në karakterin psikologjik të personalitetit të Skënderbeut.

Muharremi: Aty autori ka luajtur me ngjyra,

“Aty autori ka luajtur me ngjyra, kryesisht ngjyrat në krahasim me portretet tjera janë shumë më të lehta, janë shumë më transparente ku i tërë fokusimi i krijuesit ka shkuar në karakterin psikologjik të personalitetit tonë Skënderbeut. Dhe, vazhdon me personalitetin e Adem Jasharit, figurave të ndryshme Fehmi dhe Gjevë Lladrovci, mandej shquhet portreti i Lekës së Madh ku edhe pse duket miniatorale ka mjaftë psikologji, ka karakter, ka ngjyrë, ka element të sigurt të linjës dhe formës ku drita në mënyrë difuze implementohet dhe lidhet në këto dy elemente që e formojnë kompozimin”, tha ai.

Elementi tjetër i rëndësishëm sipas tij në portrete është ana psikologjike dhe simbolika.

Ekspozita e titulluar “Portretet e dëshmorëve dhe të personaliteteve historike kombëtare”, do të jetë e hapur deri më 13 tetor në Muzeun e Kosovës

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat