Haradinaj thotë se s’mund të ketë liberalizim vizash përderisa hedhim bërllok gjithandej

Lajme

Haradinaj thotë se s’mund të ketë liberalizim vizash përderisa hedhim bërllok gjithandej

Më: 27 tetor 2018 Në ora: 13:06
Haradinaj takim me qytetarët

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se qytetarët që gjuajnë mbeturina dhe nuk kujdesen për ambientin, do të ndëshkohen.

Këto deklarata i bëri gjatë aksionit "Ta pastrojmë Kosovën", që u organizua sot në komunën e Gjakovës.

Sipas Haradinajt, nuk mund të kërkohet liberalizim i vizave dhe në anën tjetër ta ndotim ambientin.

Haradinaj: Dënimet kanë me qenë reale

"Dënimet, ndëshkimet kanë me qenë reale, pra nuk do të lejohet të vazhdohet si deri tani. Tash ne po mburremi me disa tema tjera, mburremi se po bëjmë ushtri, se po hyjmë në Interpol, e lypim liberalizimin, a në fakt, shikoni si e hedhim bërllokun", ka thënë Haradinaj.

Kurse, koordinatori i organizatës "Let's do it Kosova", Luan Hasanaj, bëri thirrje që pronat e përbashkëta të konsiderohen si të tilla dhe të mirëmbahen. Ai tha se shpreson që nuk do të kenë nevojë të kthehen prapë në këtë hapësirë për të pastruar, e njëherësh njoftoi për procesin e punës së tyre.

Hasanaj: Gjysma e deponive të mëdha në Kosovë janë larguar

"Deri më sot janë largu 322 deponi legale mbeturinash në Kosovë. Janë mbi 150 mijë qytetarë, njerëz që kanë marrë pjesë në pastrimin e tërë Kosovës, pra i bie që gjysma e deponive të mëdha në Kosovë janë larguar dhe me këtë dinamikë ne po vazhdojmë çdo ditë në të gjitha komunat", ka thënë Hasanaj.

Përndryshe, aksioni "Ta pastrojmë Kosovën" nisi në shtator të këtij viti dhe do të zgjasë deri në dhjetor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat