Këshilli i Ambasadorëve: Vizita e Netanjahut, mund të zhbllokojë njohjen e Kosovës nga Izraeli

Lajme

Këshilli i Ambasadorëve: Vizita e Netanjahut, mund të zhbllokojë njohjen e Kosovës nga Izraeli

Më: 30 tetor 2018 Në ora: 11:49
Benjamin Netanjahu

Këshilli I Ambasadorëve Shqiptarë kanë shprehur kënaqësinë për vizitën e afërt në Tiranë të kreut të qeverisë izraelite Benjamin Netanjahu.

Në një dekleratë të këtij këshilli, thihet ndër të tjera se “Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh në këtë rast shpresën se kjo vizitë do të ketë si rezultat të rëndësishëm edhe zhbllokimin e njohjes së Republikës së Kosovës si shtet i pavarur e sovran nga ana e shtetit të Izraelit.”

Ja deklarata e plotë

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh kënaqësinë e veçantë për vizitën në Tiranë të Kryeministrit të Izraelit Benjamin Netanyahu. Ne jemi të bindur se kjo vizitë do t’i shërbejë forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore dhe të bashkëpunimit midis dy vendeve tona, në emër të interesit reciprok si dhe të paqes e të stabilitetit në botë.
 
Populli shqiptar i ka dëshmuar në kohëra shumë të vështira ndjenjat e tij miqësore ndaj popullit hebre, duke e renditur veten ndër shembujt e rrallë të atyre që morën në sy rrezikun nazist për të mbrojtur hebrenjtë e përndjekur.
Shqipëria ka qënë ndër vendet e para që ka njohur shtetin e Izraelit dhe ka mbrojtur vazhdimisht egzistencën e tij si shtet i pavarur.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh në këtë rast shpresën se kjo vizitë do të ketë si rezultat të rëndësishëm edhe zhbllokimin e njohjes së Republikës së Kosovës si shtet i pavarur e sovran nga ana e shtetit të Izraelit.

Pavarësia e Kosovës është pjesë e natyrshme e procesit historik të shpërbërjes së ish – Jugosllavisë dhe është kryer jo vetëm në përputhje me vullnetin e popullit të Kosovës, por edhe në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare siç është provuar edhe nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Njohja e pavarësisë së Kosovës nga shteti i Izraelit do t’i shërbejë fuqishëm forcimit të ndjenjave miqësore të të gjithë shqiptarëve ndaj popullit hebre.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë inkurajon drejtuesit e lartë të shtetit e të qeverisë tonë që çështjen e njohjes së pavarësisë dhe të sovranitetit të Kosovës ta shtrojnë përpara mikut të nderuar me seriozitet, vendosmëri dhe argumente, gjithnjë në frymën e mirëkuptimit, si një çështje e mbetur pezull.

Njohja zyrtare e Kosovës do të vlerësohej jo vetëm si një hap miqësor nga ana e shtetit të Izraelit ndaj shqiptarëve në mbarë botën, por edhe si një vendim që i shërben paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ne presim që Izraeli të ndjekë shembullin e aleatëve të vet të mëdhenj, SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit në OKB, të cilët e kanë njohur Republikën e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran dhe zhvillojnë tashmë me të marrëdhënie të ngushta politike, diplomatike, ekonomike e kulturore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat