Publikohen formularët e deklarimit të pasurisë për 71 zyrtarë të lartë publikë

Lajme

Publikohen formularët e deklarimit të pasurisë për 71 zyrtarë të lartë publikë

Më: 8 nëntor 2018 Në ora: 13:23
Foto

Për luftimin e korrupsionit, 71 zyrtarë të lartë publik janë përfshirë në platformën online “Open data”, për verifikimin e deklarimit të pasurisë që prej vitit 2010 e deri më sot.

Në platformën e lansuar sot nga Organizata për Demokraci, Antikorrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, janë përfshirë prej të gjitha kategorive dhe funksioneve të larta publike, ndër ta edhe kryetari i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri dhe ish-drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj.

Drejtori ekzekutiv i “Çohu”, Arton Demhasaj, tha se përzgjedhja e këtyre 71 zyrtarëve publikë sa janë mbi 3600 për deklarim të pasurisë, nuk është bërë qëllimshëm.

Demhasaj: Përzgjedhja e vetëm 71 emrave është jo e qëllimshme

“Jemi munduar prej të gjitha kategorive dhe funksioneve të larta publik për t’i përzgjedhur nga një ose nga dy njerëz, në mënyrë për të shtrirë fenomenin në të gjitha institucionet. Nuk ka qenë qëllimi vetëm tek emrat, më tepër ka qenë qëllimi te pozicionet. Por, njëkohësisht emrat në një farë mënyre kanë qenë të rastësishëm”, tha ai.

Në këtë platformë është përfshirë ish-drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj, i cili në deklarimin e tij për një banesë ka deklaruar se e ka fituar në vitin  2012, ndërsa të njëjtën nuk e ka deklaruar në vitin 2015.

Po ashtu, në platformë janë përfshirë të gjithë formularët e pasurisë për të njëjtin zyrtarë, në mënyrë që gazetarët dhe qytetarët të krahasojnë formularët e pasurisë.

Demhasaj ka thënë se platforma ka për qëllim të shërbejë si mjet informues për këdo që ka interesim mbi procesin e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve publik në Kosovë.

Demhasaj: Paraqitja jo e saktë e të dhënave pamundëson vërtetimin e krijimit të pasurive të reja

“Qëllimi kryesor i këtij procesi të deklarimit të pasurive është të identifikohen rastet e krijimit të pasurive të paligjshme nga zyrtarë të lartë publik. Problematika e identifikuar dhe paraqitja jo e saktë e të dhënave pa mundëson vërtetimin e krijimit të pasurive të reja. Ky fenomen nuk asnjë shpjegim tjetër përveç se në tri rrafshe, ose zyrtarë të lartë publik të obliguar për të deklaruar pasurinë nuk janë duke bërë në mënyrë të mirëfilltë këtë obligim ligjor dhe shkas për ta fshehur pasurinë e tyre, të cilën mund ta kenë krijuar në mënyra të pa ligjshme”, ka thënë Demhasaj.

Në këtë databazë është përshirë analizimi i regjistrave të pasurisë për 71 zyrtarë publik, të cilët kanë ushtruar apo vazhdojnë të ushtrojnë funksione publike nga viti 2010 e deri sot.

Kriteri themelor për përfshirjen në hulumtim ka qenë që individët e klasifikimeve të mësipërme të kenë qenë të paraparë për të deklaruar pasurinë për të paktën tri vjet.

Sipas Demhasaj, problemet e gjetura në regjistrat e pasurisë janë klasifikuar në 21 problematika që lidhen me pasurinë e paluajtshme, pasurinë e luajtshme, të hyrat, paratë e gatshme si dhe paraqitja e bizneseve apo aksioneve.

Të dhënat vizuele janë ndarë në pesë kategoritë kryesore të regjistrave të deklarimit, ku për secilën prej tyre janë paraqitur problematikat e gjetura me rastet individuale për çdo zyrtar.

Për secilën problematikë tregohet numri i rasteve të gjetura dhe përshkrimi për secilin rast së bashku me regjistrat e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve.

Gjithashtu, në platformën online është edhe lista e të gjithë zyrtarëve të shqyrtuar ku për secilin janë përmbledhur detaje nga regjistrat dhe të gjeturat e hulumtimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat