Gjuriq pret që Merkel në takim me Vuçiqin ta zbutë qëndrimin në lidhje me Kosovën

Lajme

Gjuriq pret që Merkel në takim me Vuçiqin ta zbutë qëndrimin në lidhje me Kosovën

Më: 11 nëntor 2018 Në ora: 09:43
Vuçiq dhe Merkel

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë,  Marko Gjuriq, shpreson se takimi i sotëm i Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me kancelaren gjermane Angela Merkel në Paris për të jetë i rëndësishëm për Serbinë pavarësisht nga dallimet që ekzistojnë në lidhje me Kosovën.

Gjuriq, në televizionin shtetëror serb, ka thënë se pret nga kancelarja gjermane qëndrime që nuk e mbështesin vendimin e Kosovës për futjen e taksës shtesë për mallrat serbe.

Siç tha ai, nuk ka dyshim se raporti personal i respektit dhe besimit të ndërsjellë që ekziston në mes kancelares Merkel dhe Vuçiqit ofron një mundësi të rëndësishme që Serbia të paraqesë pikëpamjet e veta.

“Unë pres që nga ana gjermane të vijnë zëra  që nuk e mbështesin mënyrën se si Prishtina ka nxjerr një vendim të njëanshëm për të vendosur një taksë shtesë për të gjitha mallrat që shkojnë nga Serbia. Unë pres një bisedë serioze dhe të rëndësishme për të ardhmen”, ka thënë Gjuriq.

Sipas tij, “është e rëndësishme të kuptohet se çfarë ka bërë Prishtina duke shkelur të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare që zbatohen në rajon, e të cilat kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit”.

Mirëpo, pavarësisht asaj që thotë Gjuriq, pala kosovare vazhdimisht e thotë të kundërtën, duke akuzuar Serbinë se po shkel të gjitha marrëveshje në raport me Kosovën.

Presidenti serb, Aleksander Vuçiq, do të takohet sot në Paris me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Ndërsa, mediat serbe kanë raportuar se temë kryesore e diskutimit do të jetë edhe çështja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve mes dy vendeve.

Takimi i tyre pritet të mbahet para fillimit të ceremonisë zyrtare që shënon 100-vjetorin e armëpushimit, që dërgoi në përfundimin e Luftës së Parë Botërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat