Vuçiq i ankohet Merkelit: Kosova po e shkel marrëveshjen e nënshkruar për tregti të lirë

Lajme

Vuçiq i ankohet Merkelit: Kosova po e shkel marrëveshjen e nënshkruar për tregti të lirë

Më: 11 nëntor 2018 Në ora: 12:31
Aleksandar Vuçiq dhe Angela Merkel

Kancelarja gjermane Angela Merkel është takuar në Paris me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. Ndër temat kryesore: normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në kuadër të ceremonive të shënimit të 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, në Paris të Francës, kancelarja gjermane Angela Merkel është takuar me kërkesë të saj, me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. Nga kabineti i presidentit serb thuhet se ata kanë biseduar për raportet bilaterale mes Gjermanisë dhe Serbisë, për bashkëpunimin ekonomik, gjendjen në rajon dhe procesin e integrimeve evropiane. Presidenti i Serbisë pohon se ai e ka informuar kancelaren për rrjedhën e dialogut dhe hapat e fundit që ka marrë Prishtina kundër Serbisë - në radhë të parë ngritjen e taksave për mallrat serbe dhe ato nga Bosnjë-Hercegovina. Vuçiq tha se Kosova po e shkel marrëveshjen e nënshkruar për tregti të lirë dhe në këtë mënyrë po cënon bashkëpunimin dhe stabilitetin.

Pala serbe është shqetësuar edhe nga paralajmërimet në Prishtinë për krijimin e ushtrisë së Kosovës, nën emrin Forcat e Sigurisë. Sipas palës serbe, kjo rrezkon stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

Bashkëpunimi i mirë ekonomik

Vuçiq thotë se ai e ka informuar kancelaren Merkel edhe për ecurinë e mirë të raporteve ekonomike mes këtyre dy vendeve. Kjo është e mundur në radhë të parë duke i falënderuar investimeve gjermane në Serbi, që ka mundësuar punësimin e më shumë se 52.000 punonjësve. Në kumtesën e kabinetit të presidentit serb thuhet se kancelarja Merkel ka përshëndetur sukseset ekonomike të Serbisë. Merkel ka theksuar gatishmërinë e Gjermanisë që të ndihmoj në ruajtjen e paqës dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kancelarja Merkel ka theksuar rëndësinë e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Gjermania është një prej vendeve kryesore të cilat kanë kundërshtuar idetë e fundit për korrigjimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. Kancelarja Merkel nuk ka parashikuar ndonjë takim të ndarë me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi. Javën e kaluar ka dështuar në Bruksel edhe një takim mes presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e raporteve.

Presidenti serb është takuar në Paris edhe me presidentin e Francës Emmanuel Macron, shefin e diplomacisë ruse Lavrov, sekretarin e Përgjithshëm të OKB Antonio Guterres dhe liderë të tjerë./dw

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat