Ish-mjeku i UÇK-së, me disa fjalë për Thaçin dhe takimin e tij me Putinin

Lajme

Ish-mjeku i UÇK-së, me disa fjalë për Thaçin dhe takimin e tij me Putinin

Nga: N.Sh Më: 14 nëntor 2018 Në ora: 17:40
Liri Loshi

Ish-mjeku i UÇK-së, Liri Loshi, ka folur për takimi Thaçi-Putin në Paris të Francës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u takua me homologun e tij rus Vladimir Putin në Francë, për këtë takim Loshi thotë se e çmon guximin e Thaçit por nuk e çmon mungesën e transparencës që po ndodh nga presidentin, për të cilin Loshi thekson se paaftësia e tij është për t’u përballur në mënyrë të suksesshme me faktorin e brendshëm politik.

“Para se gjithash, ai duhet ta pranojë se projekti i pavarësisë së Kosovës ka dështuar dhe se të bazuarit e mëtejmë në këtë projekt është i papërspektivë për të ardhmen e Kosovës. Së dyti, ai duhet ta pranojë se si person që ka marrë pjesë nëpër të gjitha proceset ka përgjegjësi të veçantë për dështimin e këtij projekti dhe për të gjitha vonesat në proces, ndërkohë që edhe ne duhet ta kuptojmë se përgjegjësia nuk është ekskluzivisht e tij dhe nuk është ekskluzivisht e faktorit të brendshëm”, shkruan Loshi në Facebook, transmeton gazeta “Bota sot”.

Ja shkrimi i plotë:

Pavarësisht sa ka zgjatur takimi, ku është bërë dhe se çfarë pozite qëndrimi trupor kanë pasur Thaçi e Putini, i pari ka marrë krejt atë që ka dashur t’i thotë i dyti dhe i dyti i ka thënë krejt çfarë ka pasur t’i thotë të parit. E, ky është garancioni se Rusia përkrah një marrëveshje të arritur mes Prishtinës dhe Beogradit. Personalisht e çmoj shumë guximin e Hashim Thaçit për t’i hyrë kësaj pune aq të ndieshme dhe aq të komplikuar dhe çmoj guximin e tij për të ecur përpara pavarësisht kritikave që i bëhen nga të gjitha anët. Ajo që nuk çmoj tek Hashim Thaçi është mungesa e transparencës për aktivitetet e veta dhe paaftësia e tij për t’u përballë në mënyrë të suksesshme me faktorin e brendshëm politik dhe me mediet lidhur me këtë zhvillim relativisht të ri politik e ku ai shfaqet si protagonisti kryesor.

Nuk dyshoj në qëllimin e mirë të Thaçit dhe nuk dyshoj se ai e jep një pëllëmbë të Kosovës për përfitime personale. Këtë dyshim asnjëherë nuk e kam shfaqur në shkrimet e mia. Por, Hashim Thaçi duhet të jetë shumë i sinqertë me popullin e vet nëse ai dëshiron që projekti për marrveshjen me Serbinë të jetë i suksesshëm. Para se gjithash, ai duhet ta pranojë se projekti i pavarësisë së Kosovës ka dështuar dhe se të bazuarit e mëtejmë në këtë projekt është i papërspektivë për të ardhmen e Kosovës. Së dyti, ai duhet ta pranojë se si person që ka marrë pjesë nëpër të gjitha proceset ka përgjegjësi të veçantë për deshtimin e këtij projekti dhe për të gjitha vonesat në proces, ndërkohë që edhe ne duhet ta kuptojmë se përgjegjësia nuk është eksluzivisht e tij dhe nuk është ekskluzivisht e faktorit të brendshëm. Dhe se treti, ai duhet të na thotë qartë se kush është ai në këtë proces, pra se ai nuk është ideatori i projektit por se është lojtari kryesor i ekipit kosovar (shqiptar) që ta përfundojë marrëveshjen, meqë pavarësisht dobësive që ka dhe pavarësisht kundërshtimeve të brendshme ndaj tij, Kosova nuk e ka një person tjetër në të cilin faktori ndërkombëtar, respektivisht qëndrat e fuqishme të vendosjes ndërkombëtare mund të kishin besim më të madh se në të. Dhe, unë besoj se kjo për të gjithë ne është e kuptueshme.

Dhe, pastaj ecim tutje...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat