Gjykata refuzon kërkesën e Fahredin Gashit në rastin ‘Toka’

Lajme

Gjykata refuzon kërkesën e Fahredin Gashit në rastin ‘Toka’

Më: 16 nëntor 2018 Në ora: 13:32
I akuzuari Fahredin Gashi në gjykatë

Seanca gjyqësore në rastin e njohur si “Toka”, ku ish deputeti i PDK-së Azem Syla dhe 17 persona të tjerët po akuzohen për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës, ka dështuar të mbahet përsëri.

Kësaj radhe arsyeja e shtyrjes së seancës ishte mungesa e avokates Adelina Hoxha-Shabani e cila në këtë proces gjyqësor po e mbron të akuzuarin Shaban Syla.

Ky rast është duke u gjykuar nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Beqir Kalludra dhe dy anëtaret e tjerë, gjykatësit Shashivar Hoti e Violeta Namani.

Pasi që trupi gjykues u paraqit në sallë të gjykatës dhe e hapi seancën gjyqësore pas verifikimit të palëve të pranishme, konstatuan se në sallë nuk ishin të pranishme avokatja Adelina Hoxha-Shabani si dhe e akuzuara Luminje Sopjani për të cilën njëri nga të akuzuarit deklaroi se e njëjta për pak minuta do të jetë e pranishme në Gjykatë pasi që e kishte lajmëruar se ishte duke ardhur rrugës.

Në mungesë të avokates dhe të akuzuarës trupi gjykues vendosi që të tërhiqej për disa minuta deri sa të lartpërmendurat të arrinin në sallë të Gjykatës.

“Meqë se kemi premtime se e akuzuara Lumnije Sopjani është rrugës ne për hir që të mos shtyhet gjykimi ne do të tërhiqemi dhe do ta presim edhe një kohë dhe gjithashtu do të bëjmë përpjekje që gjatë kësaj kohe që të sigurohemi se a ka qenë e ftuar në mënyrë të rregullt avokatja Adelina Hoxha Shabani, nëse po, a ka mundësi me ardhë shumë shpejt”, tha Beqir Kalludra.

Pas disa minutave pritje seanca vazhdoi në orën 10:11, me ç ‘rast tani në sallë të gjykatës e pranishme ishte e akuzuara Lumnije Sopjani por mungonte avokatja Adelina Hoxha Shabani.

Ndonëse trupi gjykues, të akuzuarit Shaban Syla i kishte siguruar një avokat tjetër, i akuzuari deklaroi se ai propozon që të shtyhet seanca pasi që tha se për shkak të volumit të madh të lëndës, avokati i sapo caktuar nga Gjykata nuk do të mund ta përfaqësonte në mënyrë të drejtë.

Gjatë seancës erdhi edhe një kërkesë nga avokati Gëzim Kollçaku i cili në këtë proces gjyqësor e mbron të akuzuarin Fahredin Gashi. Ai përmes një parashtrese i kishte kërkuar Gjykatës që ta veçojë ose pezullojë procedurën ndaj të mbrojturit të tij, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore për të cilën tha se ndodhet momentalisht i akuzuari.

Kurse trupi gjykues pas marrjes së mendimit të prokurorit special Naim Abazit i cili e kundërshtoi një kërkesë të tillë, veproi njëjtë duke e kundërshtuar kërkesën e avokatit.

Kujtojmë se një kërkesë të tillë avokati Kollçaku e kishte parashtruar edhe para Prokurorit të EULEX-it Danillo Ceccarelli por edhe atëherë një kërkesë e tillë ishte refuzuar.

Seanca e radhës do të mbahet me datën 16 janar.

Në dhjetor të vitit 2016, Azem Syla ishte deklaruar i pafajshëm.

Ky rast është duke u gjykuar nga gjykatësi, Beqir Kalludra, ndërsa aktakuza ishte ngritur nga Prokurori i EULEX-it, Danillo Ceccarelli, ndërsa tani është duke u përfaqësuar nga Prokurori Special Naim Abazi.

Prokuroria Speciale më 25 tetor ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Ndërsa momentalisht në këtë rast të akuzuar janë 18 persona pasi që ndaj të akuzuarve Ilaz Syla, Mustafë Haliti, Nuhi Uka dhe Hajrullah Berisha është veçuar procedura, shkruan kallxo.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.

Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

Në mesin e shtëpive të bastisura ishte edhe ajo e tashmë ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla.

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktakuzën ndaj grupit të akuzuar në Rastin “Toka”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat