Vrasja e Oliver Ivanoviq, avokatët e të arrestuarve serbë paralajmërojnë ankesë

Lajme

Vrasja e Oliver Ivanoviq, avokatët e të arrestuarve serbë paralajmërojnë ankesë

Më: 24 nëntor 2018 Në ora: 19:06
Pamje nga arrestimi

Avokatët e të paraburgosurve serbë në lidhje me vrasjen e liderit të SDP-së Oliver Ivanoviq në veri të Mitrovicës, sot kanë paralajmëruar se do të paraqesin ankesë në Apel lidhur me caktimit e masës së paraburgimit prej 30 ditësh.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj ndaj tre të dyshuarve të arrestuar në veri lidhur me vrasjen e liderit të SDP-së, Oliver Ivanoviq.

Dragisha Markoviq, Marko Rosiq dhe Nedelko Spasojeviq kanë dalë sot  para Gjykatës Themelore në Prishtinë, pasi u arrestuan të premten nën dyshimin për përfshirje në vrasjen e politikanit serb në veri të Mitrovicës, ndërkohë që policia është në kërkim edhe të dy dyshuarve tjerë që kanë lidhje me rastin. Në mesin e tyre është edhe Milan Radojçiq, nënkryetar i Listës Serbe.

Serbi i katërt i arrestuar dje Sasha Çurçiq pritet të dalë para gjykatës në Mitrovicë, pasi ai nuk akuzohet për vrasjen e politikanit serb, por për pengim të kryerjes së detyrës të policisë së Kosovës.

Avokati Dejan Vasiq ka thënë se aktakuza lidhur me vrasjen e Ivanoviq është kryesisht e bazuar në spekulimet e mediave dhe asgjë më shumë.

Vasiq: Nuk ka dëshmi

“Ne ende nuk kemi lexuar arsyetimin e këtij vendimi, por ajo me të cilën Prokuroria dispononte lidhur me lëndën, në realitet janë fjalë të buta, të holla. Këtu janë raporte të përshkruara nga mediat, asgjë tjetër. Ato që ata kanë theksuar në vendimin për paraburgim nuk janë aspak dëshmi, janë spekulime të mediave dhe asgjë më shumë. Kur të shkruani në Google për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, ato që dalin në Google, këto janë qëllimet”, tha ai.

Ndërsa avokati tjetër Milosh Deleviq tha se pala mbrojtëse do të ankohet sapo të kenë marrë vendimin në gjuhën serbe.

Deleviq: Do të ankohemi sa të na vijë vendimi në gjuhën serbe

“Konsideroj se është në interesin e serbëve, por edhe në interesin e shqiptarëve ndriçimi i vrasjes së Oliver Ivanoviq. Megjithatë, interes më i madh mbretëron në respektimin e të drejtave dhe sundimit të ligjit. Konsiderojmë se është shkelur ligji për përcaktimin e paraburgimit të klientëve tanë, pasi nuk ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer vepër penale me të cilën ata rëndohen. Sa i përket ankesës, do të bëjmë ankesë kur të na vijë vendimi në gjuhën serbe”, tha ai.

Avokati i të dyshuarit  Nedelko Spasojoviq,  ka bërë të ditur se tre serbët e arrestuar nën dyshimet për vrasjen e Ivanoviq janë dërguar në vuajtjen e dënimit, por se atyre nuk iu është thënë vendi. Ai ka shprehur besimin se të arrestuarit janë të pafajshëm dhe se ata do të lirohen, pasi sipas tij nuk ka bazë se kanë kryer veprën penale me të cilën ata rëndohen.

Avokati i Spasojoviqit: Jemi të bindur se të arrestuarit do të lirohen

“Pasi sot është ditë jo pune, nuk kemi marrë vendimin në gjuhën serbe. Sipas informacioneve të gjykatës, këtë do ta marrim të hënën kur fillon të rrjedhë afati prej 24 orësh për ankesë. Nëse vendimi për paraburgim bazohet në gjendjen reale me të cilën disponon prokuroria dhe gjykata, jemi të bindur se ky rast do të përfundojë në favor të të pandehurve – që ata të lirohen.

Në komunikatën e Gjykatës Themelore, thuhej se kanë  konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tyre në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës, po ashtu duke u bazuar në mënyrën dhe rrethanat në të cilën janë kryer veprat penale, peshën e veprave penale, ashtu që nëse të pandehurit qëndrojnë në liri do të mund të përsërisnin veprat e njëjta apo të ngjashme penale.

Ndryshe, Oliver Ivanoviq u vra më 15 janar, rreth orës 09:00 para selisë së partisë së tij në veri të Mitrovicës

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat